Zemaj: Tani ka vluar korrupsioni e nepotizmi në kurriz të qytetarëve të Kosovës

  • A.P /
  • 30 April 2023 - 15:54
Zemaj: Tani ka vluar korrupsioni e nepotizmi në kurriz të qytetarëve të Kosovës

Pas arrestimit të një anesteziologu dhe një kirurgu në Gjilan, të cilët u arrestuan nën dyshimin se kanë marrë ryshfet për të kryer një operacion, ka reaguar deputeti nga radhët e LDK’së, Armend Zemaj, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zemaj ka fajësuar Qeverinë Kurti, duke thënë se tani ka vluar edhe korrupsioni e nepotizmi, krejt kjo në kurriz të pacientëve dhe qytetarëve të Kosovës.

“Në vazhdimësi kemi ngritur zërin dhe shqetësimet tona për degradimin e plotë të strukturës organizative nga qeveria Kurti dhe ministrat e tij të shëndetësisë me ndërhyrjet dhe vendosjen e militantëve politik në QKUK dhe në spitalet rajonale. Ndërkaq, tani ka vluar edhe korrupsioni e nepotizmi, krejt kjo në kurriz të pacientëve dhe qytetarëve të Kosovës. Sigurisht e fatkeqësisht, si zakonisht, tani dalin i sulmojnë hetuesit dhe prokurorët duke iu dalur kështu në mbrojtje shkelësve të ligjit”, ka deklaruar Zemaj.

Tutje, ai ka shkruar se “Kryeministri, prokurori dhe gjykatësi Kurti e ka fjalën e fundit. Verdikti dihet; shkelësit e ligjit – të VV-së, nuk duhet të hetohen, aq më pak të dënohen”.

Sot një anesteziolog dhe një kirurg në Gjilan, janë arrestuar nga policia nën dyshimin se kanë marrë qindra euro ryshfet për të kryer një ndërhyrje.

Policia ka thënë se anesteziologu kishte marrë nga viktima 100 euro, ndërkaq kirurgu 330 euro të tjera.

(Kosova Sot Online)