Kurti: Si qeverisje e re kemi ndërmarrë një sërë hapash

  • A.P /
  • 01 May 2023 - 17:11
Kurti: Si qeverisje e re kemi ndërmarrë një sërë hapash

Me rastin e 1 Majit në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se si qeveri kanë marrë një sërë hapash, vendimesh e iniciativash ligjore që prekin jetën e punëtorëve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai ka përmendur hartimin e Projektligjit për Pagën Minimale, të cilin thotë se presin që Kuvendi ta miratojë sa më parë.

Kurti ka përmendur edhe masat për punësim sidomos të grave dhe të rinjve.

“Si qeverisje e re kemi ndërmarrë një sërë hapash, vendimesh e iniciativash ligjore që prekin direkt jetën e punëtorëve. Kemi hartuar dhe dërguar në Kuvend Projektligjin për Pagën Minimale, ligj që presim që Kuvendi ta miratojë sa më parë. Me qëllim shtimin e inspektimeve për zbatim sa më të mirë të ligjit të punës është ndarë buxheti për të shtuar numrin e inspektorëve në terren. Ndërkohë që në buxhetin e këtij viti kemi paraparë 240 inspektorë shtesë në sektorë të ndryshëm. Gjatë këtyre dy viteve qeverisje kemi ndërmarrë masa që nxisin punësimin me theks të veçantë punësimin e grave dhe të rinjve. Me masën 1.3, rreth 5 mijë gra më shumë janë punësuar, ndërkaq përmes platformës ‘Superpuna’ kemi mbështetur punësimin e të rinjve, me ç’rast nga muaji shkurt janë realizuar 4501 marrëdhënie pune përmes kësaj platforme (deri në çastin e këtij postimi)”, ka shkruar Kurti.

(Kosova Sot Online)