Nga Gërmia qytetarët kërkojnë të zbatohen të drejtat e punëtorëve

  • A.P /
  • 01 May 2023 - 18:51
Nga Gërmia qytetarët kërkojnë të zbatohen të drejtat e punëtorëve

Për të shënuar 1 Majin – Ditën e Punëtorëve, Parku i Gërmisë edhe këtë vit ishte destinacion i shumë qytetarëve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Megjithatë, krahasuar me viteve e kaluara këtë radhë, është vërejtur fluks më i vogël i qytetarëve që frekuentonin natyrën e Gërmisë. E ata që zgjodhën këtë vend për të festuar këtë ditë, shprehën brengën e tyre për ikjen e të rinjve nga vendi.

Ata apelojnë për zbatim të të drejtave të punëtorëve në vend.

Nga Istogu për të kaluar Festën e 1 Majit në Parkun e Gërmisë ka ardhur edhe Xhelal Ramça, i shoqëruar nga kolegë.

Ramça thotë se të drejtat e punëtorëve duhet të zbatohen më shumë, në të kundërtën shton se Kosova do të mbes pa rini.

“Sivjet është shumë fluksi më i vogël, mjerisht rinia po e braktis vendin… Kjo nuk është festë, punëtorët shprehin pakënaqësitë që kanë, ne veç jemi dalë të relaksohemi pak… Atmosfera pak më mirë tash, sepse paradite ka qenë më zbehtë… Nuk është mirë që kanë ikë rinia, tash edhe liberalizimi, por shpresojmë ta shfrytëzojnë për perspektivë, shkollim, kështu tash mund të jetë një liri për të rinjtë, që ta shohin botën… Dihet se punëtorët sidomos sektori privat nuk është mirë me paga, mungojnë sigurimet e shumë të drejta, kështu kisha pas porosi që të zbatohen të drejtat e punëtorëve”, thotë Ramça.

E Nurije Paqarada, e cila frekuenton zakonisht parkun e Gërmisë, thotë se fakti që nuk ka kushte të mira pune në Kosovë të rinjtë po detyrohen të ikin jashtë vendit.

“Mirë po kalojmë, jemi dalë për ajër të pastër… rrogat e dobëta shumë, për familje e kanë të vështirë të mbesin gjallë me një rrogë të dobët… Mirëpo, nuk po ndihemi mirë, sepse po na ikin rinia”, thotë Paçarada.

Qytetari, Bashkim Deliu nga Drenasi, i cili vjen çdo vit ta festojë 1 majin në Gërmi thotë se këtë vit vërehet dukshëm numri i vogël i të rinjve.

Deliu thotë se institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa për ta ndalur rininë, në të kundërtën Kosova do të zbrazet.

“Erdhëm për pak shëtitje, të freskohemi me djalë, sepse edhe natyra mirë, qetë, ajri pastër… Rinia ikën gati të gjithë, Gërmia ka qenë e mbushur viteve të kaluara, tash vende, vende edhe është e zmbrapsur. Unë vij prej paslufte këtu rregullisht, çdo 1 maj, por tash qenka zbrazur, ikën rinia, po shihet… Po kërkojnë jetë më të mirë e paga”, thaotë Deliu.

(Kosova Sot Online)