“Serbët dhe shqiptarët janë kushërinj”, Berisha: Dënoj me forcë këtë deklaratë anti-shqiptare të Edi Ramës

  • E.K /
  • 02 May 2023 - 14:41
“Serbët dhe shqiptarët janë kushërinj”, Berisha: Dënoj me forcë këtë deklaratë anti-shqiptare të Edi Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka reaguar ndaj një deklarate të bërë pak ditë më parë nga kryeministrit Edi Rama në Athinë.

Teksa merrte pjesë në Forumim Ekonomik të Delfit, kryeministri Rama duke iu referuar shteteve në Ballkan tha se të gjithë jemi kushërinj me njëri-tjetrin.

“Volumi i jashtëzakonshëm i ekspertizës së Bashkimit Europian për mënyrën sesi ti ndërton një shtet funksional demokratik, si ndërton një gjyqësor të pavarur, si ndërton institucione, të cilat gjithmonë e më tepër janë të mbështetura tek shteti i së drejtës dhe jo tek marrëdhëniet personale ose ndërpersonale.

Për shtete si tonat në Ballkan ku të gjithë jemi kushërinj me njëri-tjetrin, ku të gjithë kemi pikëpamjet tona personale sa i takon ligjit dhe drejtësisë, Bashkimi Europian është burimi i vetëm i njohurive dhe shpresave për të ndërtuar një shtet funksional demokratik.

Kështu që, negociatat janë si një lloj transferimi ekspertize që ti nuk e zëvendëson dot me asgjë. Kështu që, për mua kjo është gjëja më e madhe që mund të bëjë Europa për ne; pra, që të na transferojë e të japë gjithë këtë ekspertizë dhe të na ndihmojë.“, tha Rama.

Këtë deklaratë, Berisha e cilëson si antishqiptare pasi sipas tij legjitimon pretendimet serbe në territoret shqiptare.

“Sot, unë këtu dënoj me forcën më të madhe, deklaratën antishqiptare në Athinë të Edi Ramës. Për herë të parë në tërë historinë e Shqipërisë, në tërë historinë e Ballkanit dhe botës, një njeri i papërgjegjshëm deklaron se shqiptarët dhe serbët janë kushërinj.

Për të justifikuar tradhtinë e tij ndaj kombit shqiptar, ai arrin të shkelmojë mbi qindra mijëra të vrarë nga barbaritë serbë, të quajë gjenocidet serbe si gjenocide të kryera mes kushërinjve. Një mendje njerëzore më antishqiptare se kjo nuk mund të bëhet. Me kushërirllëkun që njeh Edi Rama, kërkon të legjitimojë çdo pretendim serb në territoret shqiptare. Kërkon të vendosë në harresë të gjitha barbaritë serbe, shkelmon historinë, shkelmon të vërtetën, shkelmon çdo gjë me një formulë të dhënë nga Beogradi, për ta thënë në Athinë.

Ku e bazon? E bazon vetëm në vasalitetin, në asgjë tjetër shqiptarët dhe serbët nuk janë kushërinj.Shqiptarët janë këtu që kur është krijuar kjo tokë. Serbët, sipas historisë së tyre, kanë ardhur këtu nga stepat në shekullin e gjashtë.Se ku e gjen lidhjen e gjakut Edi Rama, e gjen në tradhtinë e tij, në vasalitetin e tij ndaj Beogradit. Ky është një akt i dënueshëm, sikundër dënoj implikimin e tij në fushatë elektorale në vende të tjera.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe, por garantoj shqiptarët se 14 maji është dita e vendimit pa kthim për largimin e Edi Ramës nga skena politike si hajduti, si qeveritari që vodhi më shumë shqiptarët në historinë e tyre. Njëkohësisht edhe si qeveritari që shkelmoi si tradhtar, interesat e tyre kombëtare, interesat e tyre qytetare,” tha Berisha.

(Kosova Sot Online)