Lajçak: Ne jemi këtu për të zbatuar atë që është rënë dakord gjatë dialogut

  • A.P /
  • 02 May 2023 - 16:54
Lajçak: Ne jemi këtu për të zbatuar atë që është rënë dakord gjatë dialogut

Zgjidhja që do të arrihet mes dy palëve, është e rëndësishme që në fund të jetë zgjidhje evropiane, ka deklaruar i dërguari Special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Ne jemi këtu për të zbatuar atë që është rënë dakord gjatë dialogut. Nuk është imponuar, është rënë dakord mes Serbisë dhe Kosovës në vitin 2013. Për ne është e rëndësishme që çdo zgjidhje të jetë zgjidhje evropiane”, tha ai.

Lajçak theksoi se duhet zbatuhet ajo që është rënë dakord në vitin 2013, por që duhet merret frymëzim nga zgjidhjet praktike të modeleve ekzistuese evropiane që kanë funksionuar mirë.

“Prandaj ne duhet të zbatojmë atë që është rënë dakord më herët, por në të njëjtën kohë duhet të marrim frymëzim nga zgjidhjet praktike të modeleve ekzistuese evropiane. Ne nuk duam të krijojmë diçka që nuk është testuar askund në botë, por duam të gjejmë frymëzim në modelet evropiane që funksionojnë mirë”, ka shtuar Lajçak, por nuk ka dhënë shembuj konkretë”, tha Lajçak agjencinë kroate të lajmeve “Hina”.

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi ka folur edhe për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është paralajmëruar se do të prezantohet sot, e që sipas tij ai duhet të jetë i pranueshëm për të dyja palët dhe në përputhje me standardet evropiane.

Lajçak tha se Ekipi menaxhues do të prezantojë sot draft-statutin, por ka shtuar se as ai nuk e di se çfarë ka në të.

“Ekipi menaxhues do të prezantojë draftin. Ne nuk e dimë se çfarë ka në të, por ky duhet të jetë fillimi i procesit. Në fund të fundit, ne duhet të kemi një statut të pranueshëm për të dyja palët, për Kosovën dhe Serbinë, në përputhje me standardet evropiane. Ky është hapi i parë i rëndësishëm”, tha Lajçak.


(Kosova Sot Online)