NATO kundër projektit të Ramës për portin e Durrësit, Berisha: Projekti cenon sigurinë kombëtare

  • E.K /
  • 03 May 2023 - 15:54
NATO kundër projektit të Ramës për portin e Durrësit, Berisha: Projekti cenon sigurinë kombëtare

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka falënderuar Aleancën e Atlantikut të Veriut pas pozicionimit të saj kundër projektit të portit të Durrësit. Berisha akuzoi Edi Ramën se kërkonte që në këtë aferë mafioze korruptive të përfshinte edhe NATO-n duke cenuar edhe sigurinë e vendit.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha përshëndeti qëndrimin e Aleancës Atlantike NATO,  e cila u shpreh kundër masterplanit për portin e ri tregtar në Durrës. Në një deklaratë për mediet, Berisha deklaroi se me këtë qëndrim, NATO rrëzon përpjekjet e Ramës për të mashtruar me megaaferën korruptive të portit të Durresit, që sipas tij cenon rëndë sigurinë kombëtare

Berisha u shpreh se kjo çështje do të jetë në fokus të debateve në parlament, teksa denoncoi  pezullimin e punimeve të Kuvendit nga qeveria për fushatë.

NATO e  ka kundërshtuar projektin e portit te ri tregtar në Porto Romano për shkak se nuk i përmbahej kapaciteteve  të Aleancës Atlantike për akostimin e mjeteve detare dhe sheshet në shërbim për forcat e armatosura. Sipas Berishës, përballë kësaj situate Presidenti  Begaj, duhet të kishte mbledhur Këshillin e Sigurisë, duke theksuar se Edi Rama po kërkon të bëhet miliarder me pronat publike të shqiptarëve.

(Kosova Sot Online)