Hoti: Deklarata e miratuar në Bruksel ka një qëllim kryesor

  • A.P /
  • 03 May 2023 - 16:20
Hoti: Deklarata e miratuar në Bruksel ka një qëllim kryesor

Miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur në takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel, ka deklaruar kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, e ka cilësuar si hap të rëndësishëm, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Përmes një reagimi publik të bërë të mërkurën, Hoti ka thënë se deklarata e miratuar ka një qëllim kryesor: Zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta në Kosovë.

Sipas tij, për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave përfshirë edhe dokumentet e klasifikuara, mbi vendndodhjen e personave të zhdukur.

“Për herë të parë, është arritur të përfshihet termi “të zhdukur me forcë”, që është tregues i qartë për krimet shtetërore të Serbisë në Kosovë, dhe nga sot, nuk ka më vetëm persona të zhdukur, por edhe persona të zhdukur me forcë nga shteti Serb në Kosovë”, ka shkruar ai në Facebook.

Hoti tutje është shprehur se deklarata e miratuar, është dokumenti i parë zyrtar në të cilën Serbia pranon krimet shtetërore ndaj popullit të Kosovës.

“Ju lutem referojuni Konventës Ndërkombëtare për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukja me forcë, të OKB-së. Ju lutem referojuni Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në të gjeni termin identik të njëjtë me termin e përdorur në Deklaratë. Ju lutem shfletoni internetin dhe gjeni shembuj të shteteve tjera që kanë përdorur termin e njëjtë me deklaratën tonë”.

“Tashmë kemi një dokument zyrtar ku theksohet urgjenca e zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur. Tashmë kemi një dokument zyrtar ku theksohet nevoja për bashkëpunim dhe mos bllokim në gërmime në lokacione të dyshuara për varreza masive. Tashmë kemi një dokument zyrtar në të cilin theksohet që Bashkimi Evropian përmes Komisionit të përbashkët do të involvohet direkt në zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur. Tashmë kemi një dokument zyrtar ku theksohet që duhet të adresohen nevojat dhe të drejtat e familjeve të personave të zhdukur”.

“Prandaj, ky është një hap i rëndësishëm në këtë proces, që natyrisht është jo valid nëse nuk fillon edhe implementi i saj. Por për këtë, ne vazhdojmë të kemi nevojë për ndihmë konkrete të miqve tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE, që të ushtrojnë trysninë e nevojshme ndaj Serbisë. Mbetet edhe shumë punë dhe përpjekje për t’u bërë që të arrijmë qëllimin tonë kryesor, prandaj ne do të vazhdojmë përpjekjet tona deri në zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur me forcë në Kosovë”.

Ai ka kërkuar edhe unitet nga spektri politik e mediat në Kosovë lidhur me çështjen e të zhdukurve.

“I pakuptueshëm fakti që në asnjë pikë të vetme, as kur bëhet fjalë për çështjen më të ndjeshme në vend, spektri politik dhe medial në Kosovë nuk e ka as tendencën më të vogël të krijimit të unitetit të saj. Pse gjithë kjo urrejtje patetike? Dhe për më tepër, juve që tentoni paturpësisht të përdorni këto krime për interesa ditore, siç duket po harroni që mbi kurrizin tim dhe të familjes sime ne i kemi përjetuar për së afërmi të gjitha këto krime dhe vazhdojmë t’i përjetojmë edhe sot”.


(Kosova Sot Online)