Bordi i RTK-së miratoi nisjen e reformës në RTK

  • A.P /
  • 03 May 2023 - 21:38
Bordi i RTK-së miratoi nisjen e reformës në RTK

Bordi i RTK-së në mbledhjen e datës 3 maj me tetë vota për ka aprovuar kërkesën e Drejtorit të Përgjithshëm për të nisur procesin e ristrukturimit dhe riorganizimit të brendshëm të RTK-së duke i hapur udhë kështu procesit të shumëpritur të reformës në RTK, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ky proces ka si qëllim përfundimtar të mundësojë menaxhimin efektiv të administratës së RTK-së, të rrisë nivelin e prodhimit audio viziv si dhe të rrisë llogaridhënien karshi publikut, organeve vendimmarrëse dhe themeluese.

Procesi i ristrukturimit dhe riorganizimit të brendshëm pason fazën e parë të skanimit të mënyrës se si funksionon transmetuesi publik mbi të cilin është përpiluar një raport që dëshmon se struktura aktuale organizative e RTK-së nuk funksionon në përputhje me kërkesat e tregut mediatik në Kosovë. Një ndër hapat e parë të reformës është hartimi i legjislacionit sekondar që do të bëhet në harmoni me legjislacionin vendor dhe evropian për mediat publike.

Bordi i RTK-së do ta mbikëqyrë në mënyrë të vazhdueshme procesin e reformës.

Në këtë mbledhje Bordi i RTK-së po kështu ka miratuar propozimet që i dërgohen Kuvendit të Kosovës për alternativat për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronës së RTK-së si dhe modelet e financimit të RTK-së.

Propozimet e modeleve të financimit janë një nismë e mirë për krijimin financimit të qëndrueshëm të RTK-së, si dhe propozimet për definimin e pronës zgjidhin një ndër problemet më të mëdha të RTK-së dhe stafit të saj.

(Kosova Sot Online)