Biserko: Nëse Serbia do t’i hapte arkivat do të duhej të përballej me faktin se është përgjegjëse

  • A.P /
  • 04 May 2023 - 16:04
Biserko: Nëse Serbia do t’i hapte arkivat do të duhej të përballej me faktin se është përgjegjëse

Deklaratën për Personat e Zhdukur, e cila u miratua më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e  ka komentuar Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo vlerëson se kjo sjell shpresë të re sepse palët janë zotuar të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre, përfshirë ato të shënuara si ‘konfidenciale’.

Biserko thekson se arkivat e Ushtrisë dhe Policisë serbe deri më tani kanë mbetur “të paprekshme” në rastet e krimeve të luftës, ndaj është skeptike se tani do të hapen për shkak të çështjes së personave të zhdukur.

“Nëse Serbia do t’i hapte ato arkiva, do të duhej të përballej me faktin se është përgjegjëse për shumë gjëra që kanë ndodhur në Kosovë, sepse është bërë nën ombrellën e ushtrisë, policisë dhe paragrupeve të ndryshme”, thotë ajo.

Ajo vlerëson se Deklarata për Personat e Zhdukur është hedhur tërësisht anash, dhe se fokusi ishte kryesisht te Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Megjithatë, unë them se presioni nga bashkësia ndërkombëtare do të jetë më i fortë, më i shpeshtë dhe më real këtë herë se sa ishte në vitet e mëparshme”, ka deklaruar ajo.


(Kosova Sot Online)