Si arriti që t’a fuste armën brenda shkollës nxënësi nga Beogradi?

  • A.P /
  • 04 May 2023 - 18:14
Si arriti që t’a fuste armën brenda shkollës nxënësi nga Beogradi?

8 bashkëmoshatarë të tij dhe sigurimin e shkollës i qëlloi për vdekje, derisa gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësuese i plagosi rëndë, një nxënës i shkollës fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”. 

Por si ka ndodhur sulmi?

Kjo ngjarje e tmerrshme në shkollën fillore “Vladislav Ribinkar” ka ndodhur pasi nxënësit i ishin kthyer mësimit  pas pushimeve të majit. Sipas policisë serbe, i dyshuari, nxënësi 13 vjeçar, rreth orës 8 e 40 të mëngjesit, pasi kishte arritur në shkollë, kishte nxjerrë armën nga çanta dhe kishte qëlluar për vdekje sigurimin e shkollës.

Pas sigurimit, ai kishte qëlluar tri bashkëmoshataret e tij që ishin në afërsi.

Më pas kishte vazhduar poshtë në korridorin ku gjendej klasa e historisë. Pak pasi të futej në klasë kishte ndërruar karikatorin e armës dhe më pas ishte funtur brenda dhe kishte shtënë drejt mësueses dhe nxënësve.

Pas kësaj ai ishte larguar nga klasa dhe kishte shkuar në kopshtin e shkollës, ku e kishte hedhur armën dhe më pas kishte telefonuar policinë. Ai është arrestuar në parkun e shkollës.

Ku e kishte marrë armën ky nxënës?

Në këtë sulm ishin shfrytëzuar dy armë, një e kalibrit nëntë milimetër me tre radhë plumbash dhe një pistoletë tjetër kalibër i vogël. Përveç këtyre ai kishte sjellë në shkollë edhe katër koktej molotovi.

I dyshuari kishte marrë armët e babait të tij, i cili gjithashtu është arrestuar. Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Branislav Gashiq ka deklaruar se të dy armët ishin me leje.

“Babai ka thënë se armët kanë qenë të mbyllura dhe me kod sigurie, por që duket se fëmija e ka pasur kodin”, ka thënë Gashiq.

Ministri serb ka thënë se sipas informatave jozyrtare, nxënësi kishte shkuar në vende për qitje bashkë me babain e tij dhe kishte mësuar për qitje me armë.

 Cili është motivi i këtij sulmi?

Motivi është ende i panjohur, megjithatë zyrtarë të policisë serbe thonë se një krim i tillë ishte planifikuar para një muaji. I dyshuari kishte një listë të nxnësve që kishte planifikuar t’i vriste dhe kishte vizatuar edhe hartën e shkollës.

“Ai ishte duke punuar edhe për planin e hyrjes dhe daljes nga shkolla, që e gjetëm në tavolinën e tij, dhe siç ka thënë edhe ai vetë, ai i kishte përcaktuar targetet me prioritet”, ka thënë drejtori i policisë së Beogradit.

Ndërkohë në disa media është raportuar se i dyshuari për vrasjen e 8 nxënësve dhe sigurimit të shkollës ka qenë viktimë e dhunës nga bashkëmoshatarët.

Por ministri i Arsimit të Serbisë, Branko Ruzhiq lidhur me këto pretendime ka thënë se lëndimet që i dyshuari ka pasur i ka pësuar “në një shkollë private të aktrimit që është jashtë sistemit arsimor të Serbisë”, transmeton Gazeta Express.

Si arriti që t’a fuste armën brenda shkollës?

Nxënësi kishte futur armën në çantën e  tij të shpinës. Shkolla ku vijonte mësimet kishte sistem të vëzhgimit me kamera, por jo edhe detektor të metaleve.

 Ministri i Arsimit deklaroi se kamerat kanë qenë duke funksionuar dhe se  aty ishte një roje sigurie, si dhe një punonjës policie i shkollës.

 Çfarë thonë nxënësit pas kësaj tragjedie?

Menjëherë pas të shtënave, prindërit e nxënësve ishin mbledhur përpara shkollës bashkë me një numër të madh të forcave policore dhe dhjetëra makina ambulance.

Të gjithë nxënësit që kishin qenë brenda ishin evakuuar nga dalja anësore e ndërtesës derisa të gjitha rrugët rreth shkollës kishin qenë të bllokuara për disa orë.

“Meqë kishim edukatë fizike, unë kam qenë në katin e poshtëm dhe kam dëgjuar të shtënat radhazi, nuk ka qenë vetëm një”, ka thënë një nxënës që ishte bashkë me nënën e tij përpara shkollës.

Ky nxënës ka treguar se i ishin fshehur në një hapësirë të vogël pranë palestrës, shkruan REL (edicioni në gjuhën serbe)

“Nuk e di sa kohë kaluam atje, dhe më pas na transferuan në palestër ku ishte më e sigurt dhe pastaj dolëm jashtë, ka thënë ky nxënës.

 Kush do të përgjigjet?

Prokuroria e lartë publike në Beograd ka treguar se nxënësi  që qëlloi nuk është penalisht përgjegjës meqë sipas ligjit për të miturit dhe atij për mbrojtje juridike penale për të miturit, nxënësi në fjalë nuk është penalisht përgjegjës meqë nuk i ka mbushur 14 vjet. Kështu ka konfirmuar Prokuroria e Beogradit.

Ndërkohë prindit të tij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve nën dyshimin se ka kryer veprën penale të cenimit të Sigurisë së Përgjithshme.

Organizatat që merren me arsimin kanë shprehur shqetësimin e tyre pas kësaj ngjarje tragjike dhe kanë kërkuar përforcimin e masave të sigurisë nëpër shkolla. Ata gjithashtu kanë kërkuar vendosjen e detektorëve të metaleve në hyrje të shkollave.

Qeveria e Serbisë ka shpallur tre ditë zie nga data 5 maj. Lidhur me këtë tragjedi kanë reaguar edhe krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë shprehur ngushëllimet për familjet e atyre që kanë humbur fëmijët e tyre, derisa për të plagosurit kanë uruar shërim sa më të shpejt.

(Kosova Sot Online)