Prokuroria kërkon paraburgim për njërin nga të arrestuarit nga Podujeva

  • A.P /
  • 04 May 2023 - 22:31
Prokuroria kërkon paraburgim për njërin nga të arrestuarit nga Podujeva

Për vrasjen e 58-vjeçarit që ka ndodhë me 26 mars në fshatin Dumnicë të Podujevës, policia ka arrestuar dy të dyshuar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Bëhet fjalë për arrestimin e 35-vjeçarit me inicialet B.S, dhe 22-vjeçarit me inicialet I.S. Për këtë të parin, Prokuroria ka paraqitë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Këtë informacion e dha  zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.S., për shkak të veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas KPRK-së, ndërsa hetimet do të vazhdojnë të zhvillohen edhe në drejtim të pandehurit I.S.,”, tha Ulaj.

Tutje, e njejta shtoi se motivi i vrasjes mbetet i panjohur aktualisht.

“Aktualisht, motivi i kryerjes së këtij akti mbetet i panjohur, derisa në koordinim me Policinë janë duke vazhduar hetimet deri në ndriçimin e plotë të kësaj çështjeje”, përfundoi ajo.

Të dyshuarit, fillimisht janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të shtetit.

(Kosova Sot Online)