New York Times: Kur “huligani” Vuçiq sulmonte shqiptarët e Beogradit (Pjesa e dytë e shkrimit)

  • E.K /
  • 05 May 2023 - 08:03
New York Times: Kur “huligani” Vuçiq sulmonte shqiptarët e Beogradit (Pjesa e dytë e shkrimit)

Të gjithë huliganët e rinj në tribunën veriore ishin nacionalistë të rinj, tha B., përfshirë Vuçiqin. Ndër thirrjet ishte “Serbia, jo Jugosllavia”. Pas një loje në vitin 1988, tha B., ai dhe grupi i tij dëgjuan për një përplasje mes serbëve dhe shqiptarëve etnikë. Ata shkuan “për të gjuajtur” shqiptarët në Beograd pas një ndeshjeje, me shpresën se do të thyenin disa dyqane dhe t’u jepnin një mësim shqiptarëve. Ata përfunduan në një sherr në rrugë. “Presidenti Vuçiq ishte gjithashtu i përfshirë në këtë”, tha B.. “Dhe duhet t’ju them, nuk më pëlqen tani, por ai ishte trim, trim në përleshje”.

Robert F. Worth

Nuk është rastësi që edhe (presidenti serb, Aleksandar) Vuçiq, edhe (Veljko) Belivuk filluan aktivitetin në grupet e tifozëve të futbollit. Ndoshta më shumë se kudo tjetër, stadiumet e futbollit në Serbi janë vende për pushtet në formën e tij më të keqe, apo një grup rekrutimi për milicitë dhe kriminelët e ngjashëm. Stadiumet ishin streha e nacionalizmit etnik që shkatërroi Jugosllavinë, dhe ato emocione të dhunshme u dhanë formë Vuçiqit dhe bashkëkohësve të tij. Edhe sot, prania në një arenë sportesh mund të ndihet si të ecësh në një stuhi rrufeje. Oficerët e policisë rreshtohen bulevardeve dhe ndërsa afrohesh, ka ekipe policie të militarizuara me parzmore dhe mburoja. Tifozët ndonjëherë brohorasin sharje që të kujtojnë ato të përdorura gjatë fushatave të spastrimit etnik të viteve ‘90. Besnikëria e ekipit merr një intensitet pothuajse fetar. Shefi ekzekutiv i Crvena Zvezdës së Beogradit, skuadrës më të njohur në Serbi, tha bujshëm se Crvena Zvezda “nuk është vetëm ekip futbolli, është ideologji, filozofi dhe simbol kombëtar. Crvena Zvezda është rojtari i identitetit serb dhe i besimit ortodoks”.

Huliganët e masakrave

Tifozët e vdekur të futbollit vështrojnë nga muralet e pikturuara në të gjithë Beogradin, krahas pllakave, statujave dhe memorialëve të tjerë që dëshmojnë statusin e tyre si një lloj vox populi. Huliganët ishin ndër të parët që shkuan në luftë në fillim të viteve ‘90 dhe ishin huliganët ata që siguruan muskujt e lëvizjes për të rrëzuar njeriun e fortë nacionalist, Slobodan Milosheviq, një dekadë më vonë. Që atëherë, politikanët serbë kanë frikë nga stadiumi dhe janë përpjekur të mbajnë huliganët në anën e tyre.

Të flasësh me huliganët serbë nuk është e lehtë. Disa janë të rrezikshëm. Shumica e atyre që takova ishin të heshtur dhe të kujdesshëm, pa dyshim pjesërisht për shkak të rastit “Belivuk”. Pas dy javësh kërkimi, një koleg serb më ndihmoi të gjeja atë që kërkoja: një burrë që ishte rritur përkrah Vuçiqit në stadium dhe që ishte i gatshëm dhe i aftë të fliste për origjinën e tyre të përbashkët. Ai ishte një 46-vjeçar që ende i referohet vetes si huligan, megjithëse ka një grua dhe fëmijë dhe rrallëherë futet në bela stadiumesh. U takuam në një lokal larg lagjes së tij, kështu që ai nuk do të njihej. Ai foli me kusht që të mos e identifikoja, andaj do t’i referohem si B., iniciali i tij i parë. Ai ka një trup të lidhur dhe kokë të rruar, dhe ndërsa ecte nëpër lokal, vështrimi i tij ishte aq i drejtpërdrejtë dhe i patrembur, saqë pata një ndjenjë se po më kërcënonte. U ulëm dhe porositëm birra. Ai fliste shpejt anglisht, duke folur herë pas here në serbisht kur nuk mund të gjente fjalën e duhur.

B. më tha se stadiumi ishte një zonë e rrallë lirie dhe anonimiteti në shtetin komunist të Jugosllavisë të kontrolluar fort. Ishte gjithashtu një vend ku, nga fundi i viteve ‘80, mund të shihje vendin duke u shpërbërë dita-ditës. Të rinjtë filluan të formonin banda dhe të sillnin shkopinj bejsbolli në lojëra, duke adhuruar anëtarët e bandave të rrugës në filmin amerikan të vitit 1979 “The Warriors”. Huliganët më të vjetër i thanë B. dhe miqve të tij që të gjenin një grup të ngjashëm të rinjsh që mbështesnin ekipin tjetër kryesor të Beogradit, Partizanin, dhe t’i sfidonin ata në përleshje “për të parë se kush është trim dhe kush jo”. Kjo qasje ende mbisundon, më thanë huliganë të tjerë të Beogradit, dhe nganjëherë iniciatorët duhet t’i “japin gjak” huligani një anëtari tjetër për t’u ngritur lart përpara se t’i jepen “misione”. Këto mund të përfshijnë kryerjen e krimeve ose thjesht rrahjen e një rivali të caktuar.

“Gjuetia” ndaj shqiptarëve më 1988

Të gjithë huliganët e rinj në tribunën veriore ishin nacionalistë të rinj, tha B., përfshirë Vuçiqin. Ndër thirrjet ishte “Serbia, jo Jugosllavia”. Pas një loje në vitin 1988, tha B., ai dhe grupi i tij dëgjuan për një përplasje mes serbëve dhe shqiptarëve. Ata shkuan “për të gjuajtur” shqiptarët në Beograd pas një loje, me shpresën se do të thyenin disa dyqane dhe t’u jepnin një mësim shqiptarëve. Ata përfunduan në një sherr në rrugë.

“Presidenti Vuçiq ishte gjithashtu i përfshirë në këtë”, tha B.. “Dhe duhet t’ju them, nuk më pëlqen tani, por ai ishte trim, trim në përleshje”. (Zëdhënësit e Vuçiqit nuk iu përgjigjën kërkesave të përsëritura për koment).

Vuçiqi ka thënë se ishte në tribuna gjatë një përleshjeje legjendare të futbollit të vitit 1990, që ndonjëherë është përshkruar si fillimi i vërtetë i luftërave ballkanike. Ndodhi gjatë një ndeshjeje mes skuadrave të Crvena Zvezdës dhe Dinamo Zagrebit dhe shpejt u shndërrua në një përleshje që përfshiu të gjithë stadiumin. Tifozët nga të dyja anët ishin qartësisht të përgatitur për një betejë: gurë ishin grumbulluar në stadium, gati për t’u hedhur. Dekada më vonë mediat serbe publikuan foto të paqarta të ndeshjes në të cilat një i ri thatanik, i identifikuar si Vuçiq, shihet në turmë.

“Edhe Milosheviqi u frikësohej huliganëve”

Në vitin 1990, dhuna po dilte jashtë kontrollit. Kishte mijëra vandalë të rinj që kërkonin telashe dhe, tha B., dikush duhej “të qetësonte atë grup, sepse Slobodan Milosheviqi kishte frikë prej tyre”.

Kështu që Milosheviqi, i cili ishte president i Jugosllavisë në atë kohë, zgjodhi një udhëheqës për huliganët. Kjo ishte hera e parë që një lider politik hyri në një marrëdhënie të tillë dhe krijoi një precedent që Vuçiqi do të ndiqte më vonë. Njeriu i Milosheviqit quhej Arkan. Ai kishte një fytyrë djaloshare me një buzëqeshje të brishtë që fshihte një prirje për tërbime të dhunshme. Diçka rreth tij kërkonte respekt. Arkani ishte figurë e njohur e botës së krimit serb, i cili bëri emër me një sërë grabitjesh të guximshme bankash dhe arratisje nga burgu në të gjithë Evropën në vitet 1970 dhe 1980. Ai do të vazhdonte të kthehej në një nga kriminelët më brutalë të luftës të dekadës së ardhshme. Fotografitë e grupit të tij paraushtarak “Tigrat”, ndihmuan të kthenin opinionin perëndimor në mënyrë vendimtare kundër Serbisë. Në njërën prej tyre shihet një milic serb duke shkelmuar kokën e një boshnjakeje që po vdiste.

“Kështu që Arkani mblodhi liderët tanë, u dha atyre një rrogë të mirë që të gjithë të heshtnin”, tha B. “Dhe ai tha: ‘Mos u zini me të. Ne duhet të luftojmë për Serbinë tani. Do të jetë luftë’”.

Nëse stadiumi i futbollit formësoi karakterin e Vuçiqit, lufta ishte vendi ku ai mësoi politikën. Porsa do të mbaronte shkollën juridike në vitin 1991, do të kthehej në nxënës të politikanit serb të ekstremit të djathtë, Vojislav Sheshel. Ishte në të njëjtin vit kur Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësinë e tyre, duke shkaktuar konflikte të përhershme dhe brutale që do ta copëtonin Jugosllavinë në shtete. Shesheli, ithtar i spastrimit etnik, ishte kartë e dobishme për Milosheviqin, i cili mund ta tregonte si provë se disa serbë ishin edhe më ekstremë se ai. Partia Radikale e Sheshelit rekrutoi një milici që u bë e njohur për tërbimet e saj në Serbi, Bosnjë dhe në Kroacinë lindore, ku ata grabitën, torturuan, vranë dhe dëbuan civilë joserbë. Shesheli një herë tha se njerëzit e tij do të përdornin lugë të ndryshkura për t’ua nxjerrë sytë armiqve të tyre, megjithëse më vonë pretendoi se ky ishte humor i zi. Ai përfundimisht u padit dhe u dënua për krime kundër njerëzimit nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës, me seli në Hagë.

Vuçiqi: “Nëse vrisni një serb, do të vrasim njëqind myslimanë”

Vuçiq ishte një mbështetës entuziast i partisë së Sheshelit dhe ai shpejt u bë anëtari më i ri i Parlamentit të Serbisë. Në vitin 1995, disa ditë pas masakrës së gati 8000 myslimanëve boshnjakë rreth Srebrenicës, Vuçiqi mbajti një fjalim në të cilin deklaroi: “Nëse na bombardoni, nëse vrisni një serb, do të vrasim njëqind myslimanë”. Dekada kanë kaluar nga ajo kohë, porse Vuçiqi nuk ka kërkuar kurrë falje plotësisht për krimet e kryera në emër të Serbisë apo për retorikën e tij. Ai i ka trajtuar si heronj disa kriminelë të dënuar lufte, pas lirimit të tyre nga burgjet jashtë vendit.

Në vitin 1998, Vuçiqi u bë ministër i informacionit nën Milosheviqin, posti i tij i parë i pushtetit real. Ai i priu një goditjeje historike ndaj shtypit, duke vendosur gjoba të mëdha për organizatat që kritikonin qeverinë. Ishte fillimi i një preokupimi me median që do të ndihmonte në përcaktimin e karrierës politike të Vuçiqit. Por nëse Milosheviqi dhe zëvendësi i tij ia dolën të zbusnin shtypin, po humbnin kontrollin e tyre mbi stadiumet. Shumë huliganë futbolli kishin luftuar në luftëra dhe kur u kthyen në shtëpi, “ata ndien se mund të ishin arbitra të identitetit kombëtar”, më tha Ivan Gjeorgjeviq, antropolog në Institutin e Etnografisë në Beograd, i cili shkroi disertacionin e tij mbi futbollin dhe nacionalizmi në Ballkan.

B., kontakti im huligan, e shpreh pak më ndryshe. Në stadium “erdhi një brez i ri dhe ata nuk dhanë shpjegim” për pasuritë e Arkanit apo gruan e tij magjepsëse, pop-yllin Ceca, tha ai. Ata e panë se e kishin ngopur edhe Milosheviqin, i cili e kishte çuar Serbinë në rrënim ekonomik dhe statusin e të lëçiturës në Evropë. Në stadiume, tifozët e futbollit brohoritën: “Vrite veten, Slobodan!”. Huliganët u lidhën me opozitën politike dhe filluan të shërbenin si siguri informale gjatë protestave.

Rënia e Milosheviqit dhe pushteti i bandave

Momenti i spikatur pikasi më 5 tetor të 2000-s, kur një javë protestash në rrugë kulmuan me sulmin ndaj Parlamentit serb me huliganët në krye. Milosheviqi dha dorëheqjen natën tjetër dhe për një moment të shkurtër serbët ishin të entuziazmuar. Në njohje të rolit që luajtën në rrëzimin e tij, disa huliganëve iu pastruan dosjet kriminale nga koalicioni fitimtar i opozitës demokratike.

“Asgjë në polici, asgjë në gjykata”, tha B. “Ne jemi të lirë. Ne jemi si engjëjt. Pllakë e pastër”.

Euforia u shua shpejt. Ekonomia e Serbisë ishte rrënuar dhe Bashkimi Evropian nuk ishte gati të shpëtonte një vend që shihej gjerësisht si strofkë e kriminelëve të luftës të papenduar.

Për Vuçiqin, rënia e Milosheviqit nënkuptonte një moment pasigurie të thellë për të ardhmen e tij politike. Vite më vonë ai dha një intervistë të çuditshme që lë të kuptohet për ndjenjat e tij të zemërimit dhe ambiciet e penguara.

“Isha ulur në shtëpi dhe e shihja si një tragjedi për popullin serb”, tha ai. “Më pas dola jashtë, disa të droguar më sulmuan, kështu që më duhej t’i rrihja”. Ai i kishte goditur të dy dhe i kishte rrëzuar. Por në njëfarë mënyre këta sulmues misteriozë u ngritën dhe iu afruan përsëri, dhe ai i goditi për herë të dytë. “U ktheva në shtëpi”, tha Vuçiq, “dhe e dija, natyrisht, se Serbia ishte para viteve të kolapsit dhe shkatërrimit”.

Humbja “e padrejtë” e Kosovës

Për shekuj, identiteti kombëtar i Serbisë është formësuar nga ndjenjat e humbjes dhe krenaria e plagosur. Serbia ra nën sundimin osman jo shumë kohë pas një beteje legjendare më 1389, një datë që e shihni të pikturuar me spërkatje në muret në të gjithë vendin. Ajo nuk e rifitoi plotësisht pavarësinë e saj për gati 500 vjet. Këto ndjenja u rizgjuan gjatë viteve ‘90, kur shumë serbë besonin se ishin portretizuar në mënyrë të padrejtë si zuzarët e një lufte civile komplekse. Ata gjithashtu u zemëruan thellësisht ndaj fushatës së bombardimeve të NATO-s, të udhëhequr nga Amerika në vitin 1999, që e detyroi ushtrinë serbe të largohej nga Kosova pasi u akuzua për spastrim etnik dhe vrasje. Ky dëbim i lejoi Kosovës, që dikur konsiderohej si qendër e Serbisë, të bëhej e pavarur, në një goditje tjetër për serbët.

Vuçiqi dhe Partia e tij Radikale u bënë bartësit standardë të inatit të akumuluar të vendit të tyre. Në vitin 2007, Vuçiqi udhëhoqi një grup protestuesish në mbështetje të Ratko Mladiqit, komandant ushtarak i quajtur ndonjëherë Kasapi i Ballkanit. Një vit më vonë, kur lideri serb i Bosnjës gjatë kohës së luftës, Radovan Karaxhiq, u arrestua, Vuçiqi iu kthye rrugës, duke u sulmuar nga policia.

Kthimi i Vuçiqit me kërbaç në dorë

Por era po ndërronte anën. Në vitin 2008, hulumtimi i opinionit publik tregoi se shumica e anëtarëve të partisë së Vuçiqit dëshironin që Serbia të anëtarësohej në Bashkimin Evropian. Vuçiqi ndihmoi në themelimin e një blloku të ri, Partinë Progresive Serbe. Kritikët e përqeshnin atë si e njëjta parti e vjetër me një pamje tjetër. Megjithatë, katër vjet pas themelimit të tij, koalicioni i Vuçiqit fitoi një mori vendesh në Parlament. Partia e tij kishte luajtur me shkathtësi deri në zemër të politikës serbe, duke premtuar prosperitet, qeverisje më të pastër dhe anëtarësim në BE, edhe pse kujdesej për zemërimin e krahut të djathtë mbi Kosovën dhe gabimet e tjera të perceptuara. Vuçiqi ishte shumë i vogël për t’u bërë kryeministër, por ai fitoi kontrollin mbi partinë. Atij iu dha gjithashtu autoritet mbi të gjitha armët e shërbimeve të sigurisë. Ai zëvendësoi drejtuesit kryesorë të departamenteve me besnikë.

Vuçiq shpejt filloi të stilohej si një luftëtar kundër korrupsionit. Ai urdhëroi një seri arrestimesh dhe mediat e quajtën “Eliot Nessi i Serbisë”. Ndërsa disa ishin objektiva legjitime, më shumë se 100 nga të arrestuarit ishin zyrtarë të Partisë Demokratike që sapo ishin rrëzuar në zgjedhje. Kritikët e dënuan masën si zgjidhje politike. Por fushata kundër korrupsionit ishte e popullarizuar në publik dhe veçanërisht me anëtarësimin e Partisë Progresive, e cila u anua te serbët më të vjetër dhe më pak të arsimuar. Vlerësimet e partisë u rritën. Njerëzit donin të fajësonin diçka dhe Vuçiqi ua dha këtë kënaqësi.

Ndër kriminelët që Vuçiqi mburrej se i kishte vënë pas hekurave ishte Darko Sariqi, bosi më i fuqishëm i drogës në rajonin e Ballkanit. Sariqi, “Mbreti i kokainës”, drejtonte një rrjet global kontrabande dhe u padit në mungesë pas një hetimi shumëvjeçar që përfshinte Administratën Amerikane të Luftimit të Drogës (DEA). Vuçiqi, i cili sapo kishte fituar zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 dhe do të bëhej kryeministri i ri i vendit, e quajti arrestimin triumf për zbatimin e ligjit serb. Sariqi, i cili ishte kthyer vullnetarisht në Serbi dhe ishte dorëzuar në polici, kishte një këndvështrim tjetër. Kryegjyqtari në këtë rast më tha se e kishte pyetur Sariqin në gjykatë se pse zgjodhi të dorëzohej. Sariq, kujton gjykatësi, iu përgjigj se ndihej më i sigurt në Serbi nën qeverinë e re të udhëhequr nga Vuçiqi.

(Kosova Sot Online)