Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon të monitorojë zhvillimet lokale

  • A.P /
  • 05 May 2023 - 16:12
Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon të monitorojë zhvillimet lokale

Pas takimit me dy udhëheqësit ballkanikë, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, kishte deklaruar se se është i shqetësuar për situatën e sigurisë në Veri të Kosovës pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën në katër komunat, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Shpreha edhe një herë shqetësimin tonë të madh për situatën në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të fundit të pjesshme me pjesëmarrje shumë të ulët”, tha Borrell në mbrëmjen e 2 majit.

“Duke marrë parasysh këtë shkallë, këto zgjedhje nuk është se ofrojnë ndonjë zgjidhje afatgjate, përkundrazi ndoshta kanë potencial për të çuar situatën drejt përshkallëzimit dhe për të minuar implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe ne nuk duam që kjo të ndodhë”, shtoi ai.

Për këtë media ka pyetur KFOR’in nëse ka cenim të stabilitetit në pjesën veriore të vendit. Në përgjigje thuhet se misioni i KFOR është në krye të detyrës për sigurim të paqes, derisa shton se po ofron kushtet e nevojshme që BE të udhëheqë me dialogun.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon të monitorojë zhvillimet lokale dhe mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. KFOR-i gjithashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga BE të mund të ecin përpara”.

Ndërkaq, për hapjen e mundshme të Urës së Ibrit dhe nëse ky veprim mund të çojë në tensione, KFOR tha se kjo duhet të bëhet përmes dialogut.

“Rihapja e Urës së Ibrit është një çështje që duhet zgjidhur përmes dialogut politik”.

(Kosova Sot Online)