Gjykata liron britaniken zbardhet vendimi për porositësin

  • A.P /
  • 05 May 2023 - 17:17
Gjykata liron britaniken zbardhet vendimi për porositësin

Gjykatësi britanik Michael Snow, ka pranuar lirimin me kusht të Harriet Bridgeman, e arrestuar për qëllim ekstradimi në Shqipëri si pjesë grupit të përfshirë në vrasjen e Ardian Nikulajt, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Bëhet me dije se Avokatja mbrojtëse e Harriet Bridgeman parashtroi kërkesën për liri me kusht duke bindur gjykatën.

“Ajo ka një rol të limituar në ngjarje krahasuar me të tjerët. Thjesht është parë në atë lokal. Shkoi në Shqipëri për pushime. E la Shqipërinë 12 ditë përpara vrasjes. E mësoi vrasjen nga rrjetet sociale. Nuk ka asnjë tendencë të zhduket. Nuk ka asnjë lidhje familjare me Shqipërinë apo vende të tjera. Ka një vajzë 7 vjeçe dhe është  e divorcuar nga burri. Nëse mbahet në burg i limitohet kontakti me fëmijën. Ka probleme mendore prandaj është e papunë dhe merr asistencë sociale. Mbajtja në burg do t’ia përkeqësonte shëndetin. 20.000 paund është garancia nga babai i saj”, tha ajo, sipas Top Channel.

Zoe Lash, e cila përfaqëson shtetin shqiptar, kërkues i ekstradimit, e kundërshtoi ndryshimin e masës së sigurisë për Harriet Bridgerman, dhe akuzon britaniken si pjesë e skuadrës së vëzhguesve që informonte lëvizjet e biznesmenit Ardian Nikulaj që u vra në 19 Prill.

Mësohet se Thomas Mithan u la në burg, ndërsa kërkesat e Edmond Haxhisë, që akuzohet si organizator dhe Steven Hunt për liri me kusht do të shqyrtohen më 2 Qershor.

Përfaqësuesja e shtetin shqiptar në këtë proces paralajmëroi ankimim në Gjykatën e Lartë Angleze Royal Court of Justice, për lirimin me kusht të Harriet Bridgerman.


(Kosova Sot Online)