Berisha: 14 maji hap dyert për përmbysjen e Ramës, i bëj thirrje të mos guxojë të luajë me çështjen e Kosovës

  • E.K /
  • 06 May 2023 - 17:54
Berisha: 14 maji hap dyert për përmbysjen e Ramës, i bëj thirrje të mos guxojë të luajë me çështjen e Kosovës

Hasi ishte ndalesa e radhës e kryetarit të PD, Sali Berisha, në vijim të turit elektoral për zgjedhjet vendore të 14 Majit. 

Përpara mbështeësve dhe qytetarëve hasjanë, lideri i opozitës u shpreh se 14 Maji hap dyert për përmbysjen e Edi Ramës. 

Kreu i PD i bëri thirrje Edi Ramës që të mos guxojë të luajë me çështjen e Kosovës.

"Është kënaqësi e veçantë të vij për të kërkuar votën tuaj për njerëzit nga hasjanët më të ndershëm, më të përkushtuar, më të drejtë, për Miftar Dautin, me bindjen se Miftar Dauti do të shkrijë të gjithë energjitë e tij për të ndryshuar jetën për mirë të banorëve të Hasit, për t’u siguruar atyre shërbimet më të mira, për t’i lehtësuar ata nga barra e rëndë e taksave, për të ndërtuar infrastrukturën që meritojnë.

Edi Rama po kërcënon, mos votoni kandidatët e opozitës se nuk do keni para. Tani më lejoni t’i them një fjalë para jush: atje nga fshati yt rrëzë Shpiragut kanë një fjalë, i thonë gusht e gunë. Dhe unë po ta them, gusht dhe pushteti yt merr fund! 14 maji hap dyert për përmbysjen e tij si figura më e keqe e historisë sonë kombëtare pas Enver Hoxhës, si armiku më i egër i veriut pas Enver Hoxhës dhe Car Dushanit, si njeriu që ndjehet shumë më krenar me miqësinë me armikun e egër të shqiptarëve, të cilën edhe këto ditë Nju Jork Tajms e denonconte si një kriminel, që bënte gjahun e shqiptarëve, Aleksandër Vuçiç. Dhe thotë se atë e kam vëlla, jam krenar me të, kurse Albin Kurtin e ka kundërshtar.

Hasi, Tropoja, Dibra, Kukësi nuk mund t’ia falin atij miqësinë, vasalitetin ndaj Beogradit dhe Vuçiçit. Nuk mund t’ia falin sepse ata që ai i shpalli kushërinjtë e tij, ata janë faktuar në histori si barbarë ndaj shqiptarëve. Dhe jo vetëm në shekujt e shkuar, por edhe 20 vite më parë. Me dhjetëra e dhjetëra hasjanë ranë për t’u bërë të pavdekshëm për lirinë e Kosovës. Ndaj është rasti t’i themi këtij vasali, mos guxo të luash me çështjen e Kosovës. Larg duart! Me Kosovën nuk ke punë, Kosova ka qeverinë e saj, ka qytetarët e vet", u shpreh Berisha. 

(Kosova Sot Online)