Mjeku shqiptar në Londër: Nëse koronavirusi doli nga laboratori, nuk është e largët dita që do të shohim diçka të ngjashme

  • S.A /
  • 08 May 2023 - 12:20
Mjeku shqiptar në Londër: Nëse koronavirusi doli nga laboratori, nuk është e largët dita që do të shohim diçka të ngjashme

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi se Covid-19 nuk është më një emergjencë globale, por kjo nuk do të thotë se pandemia është kthyer në endemi. Është ky paralajmërimi që bëri mjeku shqiptar në Londër, Ledion Shapo, në një lidhje direkte me “Ditari” në A2 CNN, transmeton "Kosova Sot Online ".

Shapo theksoi se deklaratat e OBSH duhen vënë në kontekst. Ai solli në vëmendje se virusi dhe nën-variantet e tij nuk ndiqen më si dikur, teste nuk bëhen dhe as nuk mbahen më maska.

“Transmetueshmëria e virusit është e tillë në nivel global sa tagra pandemi nuk i hiqet. Jemi ende në një situatë pandemia globale. Nuk jemi ende në endemi. Nëse themi se nga një tigër është kthyer në kotele, nuk jemi të saktë…Omicron ka prodhuar 600 mutacione, prej tyre 5 ose 6 janë shqetësues,” shtoi Shapo.

Po ashtu mjeku nga Londra theksoi se një pjesë e mirë e popullatës vuan ende nga pasojat e Covid-it të gjatë. Dhe, sipas tij, numri i viktamve në nivel global besohet të jetë tre herë më i lartë se ai zyrtari, pra në total viktimat nga virusi mund të jenë deri në 20 milionë.

Por cila mund të jetë pandemia e radhës? Ledion Shapo thekson se kjo mund të varet nga origjina e vërtetë e Sars Cov2. Nëse virusi doli nga tregu i gjësë së gjallë në Wuhan, gjasat janë që pandeminë e radhës ta shohim pas shumë vitesh, por nëse virusi doli nga laboratori, atëherë “nuk është e largët dita kur mund të shohim diçka të ngjashme si kjo që kaluam.”

Një tjetër shqetësim që ngre mjeku shqiptar është gjendja e sistemeve shëndetësore, që sipas tij, treguan dobësi dhe ende vijojnë të jenë të dobësuara në maksimum.

(Kosova Sot Online )