Gjykata ia anulon vendimin kryetarit të Shtimes

  • A.P /
  • 08 May 2023 - 15:59
Gjykata ia anulon vendimin kryetarit të Shtimes

Një rast në Gjykatën Themelore në Ferizaj, e ka humbur kryetari i Shtimes, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka anuluar vendimin e kryetarit të Shtimes, Qemajl Aliut, për shkarkimin e Arben Zeqirit nga pozita e drejtorit të SHFMU “Lasgush Proadeci” në fshatin Muzeqinë.

 

Zeqiri e ka publikuar vendimin, ku gjykata ia ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e tij dhe ka anuluar vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

 

Me këtë vendim, Komuna e Shtimes detyrohet ta kthejë Zeqirin në vendin e tij të punës dhe t’ia kompensojë pagat dhe shtesat e parapara për atë pozitë.

 

Po ashtu, Komuna e Shtimes është detyruar që t’ia bartë shpenzimeve e procedurës kontestimore në shumë prej 529 euro.

 

“Ju njoftoj se Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesëpadinë time dhe ka anuluar Vendimin përmes të cilit, kryetari i Komunës Qemajl Aliu, me rekomandimin e drejtorit të DKA-së, Lulzim Sahiti, më ka larguar kundërligjshëm nga pozita e Drejtorit të ShFMU “Lasgush Poradeci” në Muzeqinë. Vendimi i gjykatës, detyron komunën që të më kthej në vendim tim të punës si drejtor, me të gjitha të drejtat dhe autorizimet ligjore dhe njëkohësisht është përgjigja më e mirë dhe më e drejtë përballë përpjekjeve të ulta për “përndjekje” politike të njerëzve që kanë mendim ndryshe.”, ka shkruar ai.

 

Sipas Zeqirit, largimi i tij nga pozita e drejtorit ishte një hakmarrje.

 

“Largimi im nga pozita e drejtorit, ishte një hakmarrje absurde që buronte që nga zgjedhjet komunale për kryetar Komune të vitit 2021, ku Qemajl Aliu dhe Lulzim Sahiti për inate dhe qëllime politike, më kanë gjykuar dhe apostrofuar publikisht dhe më kanë shfrytëzuar si pjesë e fushatës negative në rrjetet sociale dhe në media, të prezantuara nga Lëvizja Vetëvendosje në Shtime dhe vetë Qemajl Aliu, si dhe faqe fantome të rrjeteve sociale facebook, duke më akuzuar dhe gjykuar pa të drejtë dhe pa asnjë bazë. Meqë kryetari nuk tregoi vullnet për ta zbatuar aktgjykimin e shkallës së parë, ai me gjasë paska vendosur të zgjedh rrugën e përpjekjeve të dëshpëruara në shkallën e dytë me qëllim të zvarritjes së kthimit tim në shkollë si drejtor. Por, derisa kam zgjedhur rrugën ligjore për të kërkuar drejtësi, e mirëpres edhe betejën e ardhshme dhe jam i bindur se do të vërtetohet vendimi i shkallës së parë. Për këtë shfrytëzoj rastin të falënderoj përfaqësuesin tim të autorizuar, avokatin Faton Fetahu, i cili me profesionalizëm të lartë ka kryer punën e tij, si dhe familjen dhe miqtë për përkrahjen time për të realizuar vendosjen e drejtësisë së merituar.”, ka shtuar Zeqiri.

 

Zeqiri ka treguar se ka punuar në fushën e arsimit që nga viti 2002, si mësimdhënës, menaxher e pedagog.

 

“Detyrën time e kam ushtruar me përgjegjësinë më të lartë të mundshme. Bashkë me stafin arsimor kemi arritur rezultate të shkelqyeshme edhe në nivel vendi. Mirëpo, nënshtrimin dhe servilizmin nuk e kam kultivuar kurrë, ndërsa, qëndrimet dhe besimet e mia paraqesin vlerat për të cilat angazhohem dhe të cilat, secilit nga ne, i’a garanton Kushtetuta. Këto vlera nuk i braktis dot, me asnjë çmim.”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)