Halimi: Konjufca ka konstuar se blloku i vendeve evropiane e synon rrënimin e shtetit kosovar

  • A.P /
  • 08 May 2023 - 19:50
Halimi: Konjufca ka konstuar se blloku i vendeve evropiane e synon rrënimin e shtetit kosovar

Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca për komentet e tij të fundit, e ka kritikuar zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Konjufca sot ka deklaruar se Kosova mund të dalë nga dialogu, nëse statuti i propozuar për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe nuk përkon me Kushtetutën e Kosovës.

“Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mendoj që nëse faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, nëse BE-ja nuk mendon që zgjidhja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, mendoj që Kosova nuk ka çka të kërkoj në atë dialog më. Kurrfarë interesi nuk ka Kosova më, çka kemi ne interes ta shkatërrojmë kushtetutshmërinë tonë, ajo shkon në dëm tonin nëse shkon ashtu”, ka deklaruar Konjufca

Sipas Halimit, Konjufca sot ka konstuar se blloku i vendeve evropiane e synon rrënimin e shtetit kosovar.

Kritika, ajo ka pasur edhe për Qeverinë Kosovës.

“Strategjia e kësaj qeverie është jo vetëm e vonshme, por ka filluar t’i konstatojë veprimet e vonuara të vetvetes. Pas pasojave, gjithmonë e krijojnë një gjendje tjetër – një realitet paralel –  e që realisht kurrë nuk është kontinuiteti i asaj çfarë bëjnë. Fillimisht, të kënaqur me përfshirjen e vetmenaxhimit në Marrëveshjen e Ohrit, madje deri në glorifikim të saj, pastaj shkarkuan ekipin “vetmenaxhues” duke e projektuar si të dështuar.  Rrjedhimisht, në mungesë të një fajtori kujdestar, të brendshme, ndezin turbo-makineritë kërkuese për fajtorë të tjerë, përjashtë. Kësaj radhe qenkan vendet e BE-së fajtore. Kryetari i Kuvendit të Kosovës konstaton se blloku i vendeve evropiane sikur po synuaka ta rrënojë shtetin kosovar duke kërcënuar me largim nga dialogu!? Ndonëse, si gjithmonë nuk e thotë kah do t’ia mbajë pastaj”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)