Berisha: Nuk ka marrëveshje me 'Lul Bravën' e Alibeajn

  • A.P /
  • 08 May 2023 - 23:00
Berisha: Nuk ka marrëveshje me 'Lul Bravën' e Alibeajn

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar situatën e fushatës duke folur mbi premtimet elektorale të qeverisë, si edhe palën që mban logon e Partisë Demokratike me në krye Enkelejd Alibeajn, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Berisha i cilësoi premtimet e mazhorancës si akte të pafalshme, ndërsa shtoi se Rama, Balluku, Spiropali e të tjerë do mbahen përgjegjës për krime të shëmtuara elektorale që nuk do të falen.

Ndërkohë sa i përket bashkimit të demokratëve, Berisha deklaroi se “nuk mund të gjendet marrëveshje me pengjet”, duke iu referuar Enkelejd Alibeajt por edhe Lulzim Bashës, të cilin e cilësoi si “Lul Brava”. Sipas tij ata janë pengje dhe kanë lidhje me krimin, të cilat sipas Berishës shfrytëzohen nga Rama.

Ai deklaroi se Alibeaj ka një vëlla “të rrezikshëm” që është arrestuar për vjedhje me armë në Gjermani, ndërsa sa i përket Bashës, tha se ka dosje për pastrim parash që kontrollohet nga kryeministri Rama.

Berisha analizoi situatën e kandidatëve të opozitës përballë mazhorancës, duke thënë se sipas sondazheve në rrjetet sociale të zgjedhurit e koalicionit “Bashkë Fitojmë” flasin vetëm pro tyre.

Sakaq, ai nuk kurseu as fjalët për kandidatët e mazhorancës për të cilët deklaroi se janë me “rekorde të zeza”, teksa përmendi edhe kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu, për të cilin tha se u dërgon mesazhe administratës duke i udhëzuar të bërtasin në takimet elektorale.

“Këto janë akte të pafalshme dhe Rama do mbahet përgjegjës si kryekriminel elektoral. Ta dijë mirë ai, Balluku, Spiropali, etj që po kryejnë përditë krime të shëmtuara elektorale që nuk do të falen ndonjëherë. Në këto zgjedhje dhe në vazhdim do rikthehemi. Ne do fitojmë shumicën e bashkive, me shifra ekzakte nuk flas dot. Nëse zgjedhjet zhvillohen nesër Rama del nga politika. Përgjegjësia ime është të bëj një fushatë në përputhje me ligjin dhe të fitoj zemrat dhe mendjet e qytetarëve. Nuk kam në dorë gjë, nuk blej vota apo të bëj presione. Ndjek një fushatë idealiste, por nëse këta vazhdojnë në këtë mënyrë do rrokullisen.

Në historinë e botës nuk gjen kurrë marrëveshje me pengjet, vetëm me pengmarrësit. Ata janë pengje të Edi Ramës. Të bësh marrëveshje me Lul Bravën dhe Enkelejdin është si të rrahësh ujin në hava. Marrëveshja duhej me Ramën, por me atë nuk bëj marrëveshje. Ata janë pengje. Lidhjet me të tmerrshme të njeriut janë ato me krimin. Rama i ka në dorë me lidhjet e tyre me krimin. Dosjen e zotërisë për larje parash e ka firmosur një prokuror, Lul Basha akuzohet për larje parash se nuk tregon burimin për 700 mijë euro. Ky do dënohej dhe Rama e mbante peng. Enkelejdi ka një vëlla të rrezikshëm të arrestuar për vjedhje me armë në Gjermani. Quhet Taulant Alibeaj, Enkelejdi këtë nuk e ka deklaruar. Problemi është më i thellë, ku gjendet sot Taulanti. Duhet të dalë ai ta thotë, unë e di përafërsisht. Ai ka detyrime. A ka një bashkëjetuese ai në Kushtetuese, duhet të thotë kam një kunat kriminel. Nuk është vetëm kaq. Ai po bën fushatë haptaz për Veliajn në Tiranë. Shpërndahen video ku kandidati i Lul Bravës i thotë qytetares voto Erion Velinë. Ky është spot televiziv”, u shpreh Berisha.

Berisha ka folur në lidhje me çështjen e lidhjes së kryeministrit Rama me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal.

Ai deklaroi se kryeministrin “po e pret në bankën e të akuzuarve miku i tij McGonigal”, ndërsa shtoi se kjo ngjarje ka qenë aq e rëndë sa në vizitën e tij në Shqipëri, Gabriel Escobar, i ka komunikuar Ramës se është në hetim.

(Kosova Sot Online)