Jep dorëheqje kryesusi i Asamblesë në Zubin Potok

  • A.P /
  • 09 May 2023 - 17:14
Jep dorëheqje kryesusi i Asamblesë në Zubin Potok

Raportohet se kryetari i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, Slavisha Bishevaq nga Iniciativa Qytetare për Zubin Potokun ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Qëllimi, siç raporton mediumi serb në Kosovë, është të parandalohet marrja e detyrës nga kryetari i sapozgjedhur, Izmir Zeqiri, por kjo nuk do të kryej punë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Bishevaq mori pozitën e kryetarit të Kuvendit Komunal në këtë komunë pasi serbët e veriut u larguan nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo iniciativë thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri “nuk janë organizuar në kushte demokratike”.

Siç raporton Kossev, Bishevaqit i është kërkuar ta thërrasë seancën e Kuvendit ku do të zyrtarizohet zgjedhja e kryetarit të ri, ndonëse është thënë se betimi do të bëhet me ose pa serbët.

Megjithatë, Bishevaq vendosi të japë dorëheqje me dëshirën për ta parandaluar marrjen e detyrës nga kryetari i ri.

“Dëshiruam që ta ndalojmë marrjen e detyrës nga kryetari i ri, duke dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit, i cili duhet ta thërrasë atë kuvend. Në këtë mënyrë duam të pengojmë që kryetari i ri të marrë detyrën në Zubin Potok, ku shumica absolute e popullsisë janë serbë”, thanë nga Iniciativa Qytetare.

Këshilltarët e Kuvendit Kumunal nga ky subjekt politik nuk kanë dhënë dorëheqje. Kanë thënë se do të dorëhiqen nëse zgjidhet zyrtarisht kryetari i ri.

“Dhe ata do të japin dorëheqje nëse zyrtarisht zgjidhet kryetari i ri, gjegjësisht nëse krijojnë shumicën dhe organizojnë një seancë të kuvendit pa ne”, thanë nga kjo iniciativë.

(Kosova Sot Online)