Ja kush thotë: Gjoba 3.2 milionëshe ndaj KEK-ut, dëshmi e keqërdorimeve

  • A.P /
  • 09 May 2023 - 22:30
Ja kush thotë: Gjoba 3.2 milionëshe ndaj KEK-ut, dëshmi e keqërdorimeve

Gjoba 3.2 milionëshe nga ZRrE për KEK-un është konfirmimi i të gjitha keqpërdorimeve në këtë ndërmarrje, ka deklaruar kryetari i LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai ka thënë se këto keqpërdorime janë raportuar prej kohësh.

“Tashmë është e vërtetuar shkelja e ligjit nga KEK-u gjatë shitblerjes së rrymës. Sikurse lënia në funksion e Bllokut A5 dhe pastaj remonti i shpejtë i tij, po duket se ka qenë komplet me skenar, që dikujt t’i mundësohet jashtëligjshëm importi e eksporti i rrymës”, ka shkruar Azemi.

Sipas tij, më tragjikja në këtë mes është se për gjithë këtë ka qenë në dijeni edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si mbikëqyrëse e kësaj ndërmarrjeje.

“Dhe me gjasë këtu buron edhe zelli i saj dhe kësaj qeverie për t’i dalë në mbrojtje Nagip Krasniqit, që gjendet në paraburgim i akuzuar për keqpërdorime si drejtor i KEK-ut.  Është fatkeqësi që ky pushtet duke mbrojtur keqpërdoruesit dhe tregtarët e rrymës, rëndon peshën mbi kurrizin e qytetarit dhe dëmton buxhetin e shtetit. Interesi shtetëror s’mund t’i përshtatet interesave individuale të Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt”, ka shkruar në fund ai.

(Kosova Sot Online)