Bislimi: Kushtet e punës duhet të jenë më të mira për t’i tërhequr këta që të mbesin në Kosovë

  • E.K /
  • 10 May 2023 - 10:55
Bislimi: Kushtet e punës duhet të jenë më të mira për t’i tërhequr këta që të mbesin në Kosovë

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, sot gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Integrime, u pyet për largimin e qytetarëve nga vendi, përcjell “Kosova Sot Online”.

Bislimi tha se në Ballkanin Perëndimor dhe në Europën Lindore ka pasur gjithmonë tendenca për migrim, duke shtuar se migrimi është diçka normale.

“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Europën Lindore ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmë milioni mjekë që operojnë në Bashkimin Europian nuk janë të lidhur me Bashkimin Europian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës”, tha ai.

Bislimi tha se mund të bëhet më shumë që ata të qëndrojnë në Kosovë, duke thënë se kushtet e punës duhet të jenë më të mira për përsonat që dëshirojnë të mbesdin dhe të punojnë në Kosovë.

“A jemi duke bërë mjaftueshëm që ata të mbeten në Kosovë? Unë mendoj që mund të bëjmë më shumë. Por, po them, për aq kohë sa gjithandej nëpër Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan ka shpallje që kërkojmë punëtorë, kjo nënkupton që ndoshta kushtet e punës duhet të jenë më të mira për t’i tërhequr këta që të mbesin në Kosovë”, tha zëvendëskryeministri.

(Kosova Sot Online)