Power jep detaje çka bisedoi në takimet me Vuçiqin e Bërnabiqin

  • A.P /
  • 10 May 2023 - 17:23
Power jep detaje çka bisedoi në takimet me Vuçiqin e Bërnabiqin

Administratorja e USAID-it, Samantha Power, përmes disa postimeve në Twitter ka treguar për takimet që ka pasë në Serbi, në vizitën e saj zyrtare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Fillimisht, ajo shkroi shkurt për takimin që ka mbajtur me presidentin e Serbisë, të cilin e konsideroi produktiv.

“Kam pasur një takim produktiv dhe të gjerë sot me Presidentin Aleksandar Vuçiq për të ardhmen e Serbisë dhe se si SHBA mund të vazhdojnë të investojnë në suksesin dhe prosperitetin e popullit serb”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq, Vuçiq në njoftimin e tij mbi këtë takim ka thënë se kanë folur edhe për dialogun me Kosovën, si dhe për planin europian, për të cilin ka deklaruar se do ta zbatojë me “kufizime të caktuara”.

Po ashtu, Power është takuar edhe me kryeministren serbe.

“Në takimin tim sot me kryeministren serbe Bërnabiq, ne diskutuam për partneritetin SHBA-Serbi, për inovacionin teknologjik, tranzicionin e energjisë së pastër dhe rritjen e integrimit rajonal. Gjithashtu falënderova kryeministrin për mbështetjen humanitare të Serbisë në Ukrainë”.

Ndërkaq, shefja e USAID-it mbajti takime edhe me gazetarët hulumtues në Serbi, duke theksuar që ata punojnë në një ambient të vështirë.

“U takova me gazetarë hulumtues në Serbi për të diskutuar mbi ambientin e vështirë me të cilin përballen si reporterë të përkushtuar në ngritjen e historive që sfidojnë perceptimin publik. Disa kalojnë disa ditë në gjykatë çdo muaj duke luftuar paditë. I falënderova për punën e tyre thelbësore”.

Power pas Serbisë pritet të vijë edhe në Kosovë. 


(Kosova Sot Online)