Osmani falënderon miqtë e Kosovës në Kongresin amerikan

  • A.P /
  • 11 May 2023 - 13:46
Osmani falënderon miqtë e Kosovës në Kongresin amerikan

Kosova vazhdon të jetë konstruktive në dialog, ndërkaq ka potencuar se Serbia po vazhdon ta shkelë marrëveshjen, duke shprehur mosgatishmëri për zbatimin e saj, ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në SHBA, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Presidentja kosovare po qëndron në Amerikë, ndërsa pritet të mbaj ligjëratë në Universitetin e Harvardit në Boston, ku është ftuar të jetë folëse kryesore në konferencën ndërkombëtare ‘Global Empowerment Meeting’.

Ajo gjatë ditës ka realizuar një sërë takimesh në Kongresin amerikan.  Sipas njoftimit për media lëshuar nga Presidenca, Gjatë qëndrimit njëditor në Washington D.C. Osmani është takuar me senatorin Chuck Schumer, senatorin Christopher Murphy, senatorin Ben Cardin, senatorin Marco Rubio, senatorin Steve Daines, kongresistin Steve Scalise, kongresisten Veronica Escobar, kongresistin Gary Palmer, si dhe në vijim do të takojë kongresisten Dina Titus.

Në të gjitha këto takime, presidentja Osmani ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, me fokus të veçantë në zhvillimet në fushën e sigurisë.

Presidentja kosovare ka potencuar vazhdimisht rëndësinë e integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, duke theksuar se kjo do të kontribuonte drejtpërdrejt që të ketë gjithnjë e më shumë siguri dhe stabilitet në rajonin tonë dhe përtej.

Osmani ka vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të Kongresit për forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit tonë, duke theksuar se tashmë është krijuar një momentum i ri për zhvillime të reja në këtë drejtim.

Në frymën e raporteve historike të shkëlqyera me SHBA-të, presidentja Osmani i ka falënderuar miqtë e Kosovës në Kongresin amerikan, duke përcjell edhe mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e tyre për vendin tonë ndër vite, thuhet në njoftimin e Presidencës kosovare.

Në këtë drejtim, ajo ka theksuar rëndësinë e forcimit të partneritetit me aleatin kryesor të Kosovës edhe përmes dialogut strategjik, iniciativë kjo e dorëzuar nga presidentja Osmani në fillim të vitit të kaluar.

(Kosova Sot Online)