Lista Serbe - Lajçakut: Derisa të formohet Asociacioni s'kthehemi në institucione

  • A.P /
  • 11 May 2023 - 17:46
Lista Serbe - Lajçakut: Derisa të formohet  Asociacioni s'kthehemi në institucione

Në takimin e së enjtes me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në veri të Mitrovicës është diskutuar për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, ka deklaruar Lista Serbe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në deklaratën e lëshuar në faqen zyrtare të kësaj partie, thuhet se përfaqësuesit e Listës Serbe i kanë thënë Lajçakut se serbët e veriut nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe “në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 të arritura në Bruksel”.

Më tej thuhet se është diskutuar edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 23 prill në katër komuna veriore, rezultatet e të cilave Lista Serbe thotë se nuk i njeh.

“Në takim u shprehën shqetësimet e qytetarëve për represionin e vazhdueshëm të regjimit të Albin Kurtit ndaj serbëve në Kosovë, veçanërisht në veri. Theksuam se Lista Serbe, por edhe i gjithë populli serb nuk i njeh rezultatet zgjedhore në të cilat dolën 0.02% e serbëve, dhe se ato janë rezultat i proceseve ilegale, jolegjitime dhe jodemokratike, të cilat ekspozuan synimin e Kurtit për pushtimin e veriut, dhe se ndryshe nga ai, ne jemi të interesuar që ta ruajmë paqen, por edhe ta ruajmë popullin serb në këtë rajon. Ritheksuam se vendimi i popullit serb është që të largohen nga institucionet dhe të mos marrin pjesë në këto zgjedhje të rrejshme dhe se asnjë nga serbët e veriut nuk do të kthehet në institucione derisa të formohet Asociacioni i komunave serbe në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 në Bruksel, dhe të tërheqin të gjitha njësitë speciale nga veriu i Kosovës”, thuhet në deklaratë.

(Kosova Sot Online)