Shqipëri: Raportohet për ngërç teknik në disa qendra votimi

  • A.P /
  • 14 May 2023 - 12:16
Shqipëri: Raportohet për ngërç teknik në disa qendra votimi

Shqipëria zgjedh sot kryebashkiakët për 61 bashki të vendit me në garë 144 kandidatë. 5213 qendra votimi janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Deri më tani është vënë re një pjesëmarrje e ulët në votime, ndërsa janë shfaqur gjithashtu probleme teknike në disa qendra votimi.

Në disa qendra ka pasur vonesa në nisjen e procesit të votimit për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik, ndërkohë në disa të tjera ka probleme me paraqitjen e komisionerëve, kryesisht të Partisë Demokratike.

Në 3 bashki të rëndësishme si Elbasani e Kamza dhe Vora , jo vetëm identifikimi, por edhe votimi dhe numërimi i votave, ishte planifikuar të jetë elektronik. Por nuk ka shkuar si duhet. Identifikimi elektronik ka pasur probleme në rreth 500 qendra votimi.

Në disa qendra votimi ka pasur edhe incidente. Një përplasje ndodhi mes një grupi të mbështetësve të opozitës me ata të Partisë Socialiste në qendrën e votimit në Spitallë, atje ku dhe procesi i  votimit u ndërpre për 30 minuta.

Një tjetër incident është shënuar dhe në Fushë-Krujë. Një votues është përplasur fizikisht me një nga anëtarët e komisionit brenda qendrës së votimit.

Lexo zhvillimet minutë pas minute

11:58 Voton Bejko: I vetmi demokrat i djathtë jam unë, të tjerët i përkasin së shkuarës

Kandidati i PD për Tiranën, Roland Bejko ka votuar. Menjëherë pas procesit, ai u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë, duke e konsideruar ditën e sotme shumë të rëndësishme.

11:56 Veliaj pas votimit: Qytetarët që nuk votuan në mëngjes, të rikthehen edhe njëherë

Kandidati i PS për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga bashkëshortja ka votuar rreth orës 11:30 në qendrën e tij të votimit.

11:46 Zgjedhjet në Shqipëri, plas sherri në Fushë-Krujë dhe Durrës, ndërpritet votimi

Krahas problemeve teknike në disa qendra votimi në Shqipëri janë shënuar disa incidente. Përplasje ka pasur mes një grupi të mbështetësve të opozitës me ata të Partisë Socialiste në qendrën e votimit në Spitallë dhe në Fushë Krujë.

11:39Voton në Shkodër Luiz Ejlli: Po bëj detyrën time si qytetar

Fituesi i Big Brother Vip Albania, Luiz Ejlli, votoi në Shkodër.

11:30 Votimet, shefja e OSBE-ODIHR në Tiranë: Situata, e qetë! Raporti prezantohet të hënën

Shefja e misionit të vëzhgimit të OSBE, Andrey Glover në një deklaratë për mediat tha se do të shohin të gjithë procesin e zgjedhjeve, ndërsa theksoi se deri më tani ka qenë situatë e lehtë. Ajo shtoi se raporti i OSBE për zgjedhjet do të prezantohet të hënën.

11:19 Fushë Krujë/ Nxirret me dhunë nga qendra e votimit komisioneri i opozitës, Ilir Hyka

Një incident është regjistruar në Fushë-Krujë në qendrën e votimit 1302/1.

Persona ende të paidentifikuar janë futur në qendrën e votimit dhe kanë nxjerrë duke e dhunuar komisionerin e opozitës Ilir Hyka.

11:11 Voton Meta dhe Kryemadhi: Ditë e madhe për Shqipërinë, merr fund monizmi

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, hodhën sot votën në kutitë e votimit.

11:09 Voton Benet Beci: Sot është ditë e rëndësishme për Shkodrën

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci ka votuar ditën e sotme në qytetin e Shkodrës.

10:58 Voton Edi Rama, shoqërohet nga bashkëshortja

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka votuar në një prej qendrave të votimit në Surrel i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama.

10:53 Zgjedhjet në Shqipëri, sa është pjesëmarrja në votime deri në orën 10:00

Deri në orën 10:00 pjesëmarrja në zgjedhjet vendore në Shqipëri ka qenë 8.08% ose kanë votuar 158 mijë qytetarë. Shifrat i publikon Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

10:44 Yuri Kim drejtuar autoriteteve: Zbatoni ligjet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim shpreson që të gjithë qytetarët shqiptarë të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike përmes votës.

Ambasadorja Kim iu ka bërë thirrje autoriteteve që të zbatojnë rregullat dhe ligjet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

10:37 “Isha me një mikun tim aktor në makinë”, kryebashkiaku i Kolonjës tregon si u grushtua në mesnatë

Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai e ka cilësuar si një ngjarje të turpshme që tregon sipas tij se sa e nervozuar dhe e dëshpëruar është pala kundërshtare politike. Në përgjigje të kundërshtarëve të cilët thonë se Isai po blinte vota, kryebashkiaku thotë se ishte duke pirë kafe me një mik.

10:34 Voton Jozefina Topalli bashkë me familjen: T’i themi “Stop” boshatisjes së vendit

Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka votuar në Shkodër së bashku me familjen e saj. Pas votimit, Topalli është shprehur se ka shumë arsye pse ajo voton sot, teksa ka theksuar 3, që sipas saj janë më të rëndësishmet për të sjellë ndryshime në vend.

10:30 Dhunimi i Erion Isait, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” : Ndërhyra vetëm për t’i ndarë

Kandidati i Koalicionit Berisha-Meta për Bashkinë e Kolonjës, Ethem Lumani ka reaguar pas dhunimit të kandidatit të PS-së, Erion Isai.

Ai thotë se ka ndërhyrë vetëm për të zbutur gjakrat dhe për t’i ndarë, por nuk ka ndërhyrë në sherr.

10:20 Voton Alibeaj: Sot është dita të ndahemi me të shkuarën

Pak minuta më parë kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj ka hedhur votën e tij. Ai tha se rezultati i PD do të jetë shumë pozitiv dhe u drejtua me një mesazh për të gjithë demokratë, shqiptarët e lirë dhe të ndershëm, të ushtrojnë të drejtën e votës në mënyrë të qetë dhe të matur për të bërë një ndarje të madhe me të shkuarën.

10:11 VIDEO- Nga Armina te mbesat, Sali Berisha voton bashkë me familjen

Ish kryeministri Sali Berisha ka votuar bashkë me familjen në qendrën e votimit në shkollën “Kosova”. Ai është paraqitur në qendrën e votimit i shoqëruar nga bashkëshortja, Liri Berisha, djali i tij Shkëlzen Berisha dhe nusja Armina Mevlani, së bashku me vajzën e tij dhe mbesat.

10:06 Sherr në lokal, procedohet penalisht kandidati i “Bashkë Fitojmë” Lefter Maliqi

Policia e Kuçovës ka proceduar penalisht shtetasin Lefter Maliqi kandidat për kryebashkiak nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, dhe Mikel Hoxha, të cilët akuzohet se kanë fyer dhe kërcënuar një person, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

9:56 Zgjedhjet/ Problematika në Durrës, kandidati për Këshillin Bashkiak thyen ligjin

Në Durrës procesi zgjedhor po vijon me problematika. Përveç grumbullimeve jashtë Qendrave të Votimit dhe problemeve me pajisjet e identifikimit elektronik, është vënë re dhe prania e personave që nuk lejohen të qëndronin.

9:49 Ngërçi me votimin elektronik, KQZ merr vendimin: Vijoni procesin manualisht

Në qendrat e votimit ku nuk punon pajisja elektronike procesi do të kryhet manualisht.

9:43 Kërcënoi kryetarin e njësisë administrative Fratar, nën hetim 54-vjeçari

Një 54 vjeçar i cili dyshohet se ka kanosur me fjalë kryetarin e njësisë administrative Fratar është vënë nën hetim.

9:21 Zgjedhjet lokale, KQZ nxjerr shifrat: Sa është pjesëmarrja deri tani

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se deri më tani pjesëmarrja në këto zgjedhje është 1.29%.

9:04 Zgjedhjet në Shqipëri, Policia e Shtetit: Asnjë problem me qendrat e votimit

Asnjë problem nuk është konstatuar gjatë ruajtjes së objekteve dhe materialeve zgjedhore, si dhe gjatë procesit të dorëzimit të qendrave të votimit te komisionerët e QV-ve, mëngjesin e sotëm, thuhet në reagimin e policisë së shtetit. 

9:02 Zgjedhjet/ Voton presidenti Begaj: Këto votime janë të qytetarëve

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i shoqëruar nga bashkëshortja e tij ka votuar në shkollën 9-vjeçare në shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjes”.

9:00 Kukësi pa drita, probleme me pajisjen e identifikimit biometrik! Pjesëmarrja e ulët në votime

Në Qarkun Kukës situata paraqitet e qetë sa i takon procesit zgjedhor, përveç problemeve me pajisjen e identifikimit biometrik për shkak të ndërprerjeve të shkurtra të energjisë elektrike

8:39 Zgjedhjet/ Voton Belind Këlliçi: Sot vendoset fati i Tiranës

Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi ka votuar sot në Shkollën “Dora d’Istria”.

8:20 Zgjedhjet/ Fredi Beleri në burg, si paraqitet situata në Himarë

Arrestimi i kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’ në Himarë, Fredi Beleri, para zgjedhjeve solli reagime të ashpra mes Greqisë dhe Shqipërisë. Në orët e para të hapjes së votimit situata atje paraqitet e qetë dhe njerëzit kanë filluar të votojnë.

8:05 Vonesa dhe probleme me pajisjet e identifikimit, në këto qytete nuk ka nisur ende procesi i votimit

Pajisjet e identifikimit elektronik kanë shfaqur probleme në Lushnje dhe Kavajë ku ende nuk ka nisur procesi i votimit. Gjithashtu probleme ka edhe në disa zona të tjera.

7:56 Zgjedhjet/ Voton Balluku: Uroj një proces të qetë, siç e meriton Shqipëria

Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku është dhe një ndër të parat nga radhët e qeverisë që ka votuar për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri të Tiranës.

7:54 Në tre bashki sot aplikohet votimi elektronik, të dhëna reale mbi pjesëmarrjen e qytetarëve

Në tre bashki të vendit votimi për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore. do të kryehet në mënyre elektronike.

7:30 Shqipëria zgjedh sot 61 drejtuesit e rinj vendorë (Përballjet)

Nga ora 07:00 deri më 19:00, shqiptarët do i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashiakët e rinj.

Lexo: Dhunohet kandidati i PS-së në Kolonjë, simpatizanti i “BF” shoqërohet në polici

Kandidati i PS-së Erion Isai për bashkinë e Kolonjës është dhunuar mesnatën e djeshme në fshatin Qinam nga një simpatizant i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ku prezent ka qenë edhe kandidati i kësaj force Ethem Lumani.

(Kosova Sot Online)