Kurti: Ne i dimë sfidat që ekzistojnë për bashkëqytetarët tonë

  • A.P /
  • 15 May 2023 - 19:53
Kurti: Ne i dimë sfidat që ekzistojnë për bashkëqytetarët tonë

Me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot u organizua një pritje për të shënuar shpërblimin me çmim vjetor nga Bashkimi Evropian për integrimin e komuniteteve rome në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi të Zyrës për Qeverisje të Mirë, ku krahas Organizatës për Stabilitet Socio-Ekonomik që gjithashtu ishte shpërblyer nga BE-ja për punë me komunitet, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi, ambasadorë të akredituar, deputeti nga radhët e komunitetit jo shumicë Erxhan Galushi, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e drejtues të organizatave të shoqërisë civile.

“Komunitetet dhe diversiteti janë pasuri për Kosovën, por ne i dimë sfidat që ekzistojnë për bashkëqytetarët tonë romë, ashkali dhe egjiptianë. Jemi të përkushtuar që së bashku me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë do t’i tejkalojmë këto sfida për realizimin e plotë të të drejtave të komuniteteve. Në veçanti, jam i lumtur për Strategjinë për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali, të cilën qeveria jonë e miratoi vitin e kaluar. Falë punës së përkushtuar të Zyrës për Qeverisje të Mirë, ka më shumë gjasa të realizohet kjo Strategji për shkak të ndarjes së buxhetit për të gjitha aktivitetet – gjë që nuk është bërë deri më tani”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri tha me këtë rast se në këtë iniciativë të Qeverisë, fokus të veçantë i kemi kushtuar gjuhës kundër urrejtjes dhe diskriminimit, dhe me hapjen e platformës www.raportodiskriminimin.org kemi dëshmuar përkushtimin e qeverisë për monitorimin e rasteve të diskriminimit dhe zgjidhjen e tyre.

Po ashtu, kryeministri tha se këtë vit kemi ndarë edhe bursa për nxënës nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian dhe 200 mijë euro për qendrat arsimore ku mësojnë fëmijët e këtyre komuniteteve.

Duke theksuar punësimin si një prej sfidave kryesore, për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian, kryeministri Kurti tha se për këtë kemi krijuar ekipin ndërinstitucional për promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe i jemi mirënjohës drejtorit Habit Hajredinit dhe ekipit të tij për funksionalizimin e këtij mekanizmi.

“Ne kemi shënuar suksese me numrin e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve që kanë përfituar nga trajnimi në Qendrat e Trajnimit Profesional; vitin e kaluar 104 romë, ashkali dhe egjiptianë përfituan nga ky trajnim – një rritje nga vetëm 34 një vit më parë. Po ashtu jemi të lumtur krahas raundin paraprak të rekrutimit kur vetëm një pjesëtar i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është pranuar si polic, prej rekrutimit të fundit kemi progres, me 3 gra dhe 6 burra nga këto komunitete”, shtoi kryeministri Kurti.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini, në fund të muajit të kaluar u shpërblye me çmim nga Komisioni Evropian për Integrimin e Romëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Ky është çmimi i parë që i kushtohet një zyrtari të lartë si nëpunës civil në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Z. Hajredini koordinon punën e qeverisë për komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë. Disa prej angazhimeve më të shënuara të viteve të fundit përfshijnë kontributin e tij në hartimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Romëve dhe Ashkalive, krijimin e platformës për raportimin e diskriminimit ndaj romëve, www.raportodiskriminim.org dhe hapjen e mini-bibliotekën në gjuhën rome që u inauguruar nga Kryeministri muajin e kaluar.

(Kosova Sot Online)