Macron: Ne kemi hapur derën që të trajnojmë pilotët ukrainas

  • A.P /
  • 16 May 2023 - 20:12
Macron: Ne kemi hapur derën që të trajnojmë pilotët ukrainas

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se do të trajnojnë pilotët ukrainas teksa ka bërë të ditur se edhe vendet tjera evropiane kanë shprehur vullnetin e tyre për ndihmë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Ne kemi hapur derën që të trajnojmë pilotët, ku gatishmëri kanë shprehur edhe disa vende të tjera evropiane”, tha Macron në një intervistë për transmetuesin francez TF1 një ditë pasi priti presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Paris.

Mandej, Macron tha se diskutimet për këto trajnime do të bëhen edhe me amerikanët.

“Mendoj se diskutimet vazhdojnë me amerikanët. Trajnimi mund të fillojë menjëherë”.

Presidenti francez, megjithatë, nuk përmendi se cili avion do të përdoret për trajnimin e pilotëve.

“Franca ka pasur gjithmonë të njëjtin qëndrim”, vazhdoi Macron kur u pyet për dërgimin e avionëve luftarakë francezë në Ukrainë, duke shtuar se Parisi zyrtar mbështet rezistencën ukrainase.

“Ne nuk luftojmë kundër Rusisë. Kjo do të thotë se ne nuk do të dorëzojmë armë që mund të arrijnë tokën ruse ose të sulmojnë Rusinë”, tha Macron.

Zelenskyy zhvilloi një vizitë të papritur në Paris të dielën dhe u takua me Macron-in.

Liderët diskutuan ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe sanksionet e mundshme “për të dobësuar aftësinë e Rusisë për të vazhduar agresionin dhe luftën e saj të paligjshme”, thuhet në një deklaratë të përbashkët.

Presidenti ukrainas prej muajsh ka kërkuar avionë luftarakë nga mbështetësit e tij evropianë, përfshirë Francën.


(Kosova Sot Online)