Sipas regjistrimit të fundit: Ja sa është numri i popullsisë shqiptare në Serbi

  • A.P /
  • 16 May 2023 - 18:57
Sipas regjistrimit të fundit: Ja sa është numri i popullsisë shqiptare në Serbi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në këtë vend, Ragmi Mustafi, ka deklaruar se regjistrimi i popullsisë dëshmoi se pakica kombëtare shqiptare në Serbi është diskriminuar në 12 vjetët e fundit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

ai thotë se rezultatet përfundimtare të regjistrimit të vitit 2022, treguan se shqiptarët në këtë vend janë pakica e katërt më e madhe kombëtare.

Ndryshe nga të dhënat e regjistrimit të vitit 2011, që tregonin se në Serbi jetojnë gjithsej 5.809 shqiptarë, të dhënat e regjistrimit të fundit tregojnë se popullsia e këtij komuniteti përbëhet prej 61.687 banorësh.

Shqiptarët e bojkotuan regjistrimin e mëparshëm, andaj edhe nuk dihej numri real i tyre.

Vendimi për bojkotim ishte marrë pasi formularët për regjistrim ishin shtypur vetëm në gjuhën serbe, me alfabet cirilik.

Si arsye shtesë, përfaqësuesit e shqiptarëve përmendën problemet e pazgjidhura dhe obligimet e paplotësuara të shtetit të Serbisë në zonën ku jetojnë ata.

Por, përfaqësuesit e shqiptarëve bënë thirrje për regjistrim në procesin që u organizua nga autoritetet e Serbisë, vitin e kaluar.

Mustafi thotë se numri i pjesëtarëve të pakicave kombëtare përcakton dhe ndikon drejtpërdrejt në realizimin e të drejtave të tyre.

“Në rastin e pakicës kombëtare shqiptare në Serbi, kjo nënkupton pjesëmarrjen e duhur të shqiptarëve në organet dhe institucionet shtetërore, përkatësisht përfaqësimin e tyre proporcional në polici, gjyqësor, arsim, shëndetësi, doganë, ndërmarrje publike… gjë që nuk po ndodh tani”, thotë Mustafi.

(Kosova Sot Online)