Berisha: Rama ka hedhur miliona euro për blerjen e votës, kulmi ishte në Shkodër

  • E.K /
  • 17 May 2023 - 13:41
Berisha: Rama ka hedhur miliona euro për blerjen e votës, kulmi ishte në Shkodër

Ish-kryeministri Sali Berisha tregoi ‘prapaskenat’ sipas tij të rënies së euros dhe forcimit të monedhës vendase, fenomen që ndodhi gjatë fushatës zgjedhore.

Berisha tha në një dalje për mediat se kulmi i blerjes së votës ishte në Shkodër, bastion i së djathtës, por që në 14 maj shkodranët besuan te socialistët. Berisha akuzoi për blerje votash ish-deputetin Tom Doshi.

“Për blerjen e votës, mbi 20 mijë qytetarë u shtuan në listën e ndihmës ekonomike në mbarë vendin dhe mbi 10 mijë të tjerë u paguan si punonjës të përkohshëm pa kontratë.
Vetëm në Peshkopi u disbursuan 400 milionë lekë për individë me aftësi ndryshe.

Fondi i ndihmës ekonomike dhe pagesat për aftësi ndryshe u rritën në këtë fushatë me 900 mln lekë në krahasim me vitin e kaluar.
Nga të gjitha këto shuma të marra së bashku, rezultuan se përfituan rreth 850 mijë qytetarë me të drejtë vote, me qëllimin e vetëm të blerjes së votës.

Përveç këtyre fondeve, u përdorën edhe forma të tjera antiligjore si subvencione, prokurime, tendera për të blerë votën e shqiptarëve.
Të gjitha këto në kundërshtim me Kartën e Kopenhagenit, Kodin Zgjedhor, etj.

Me qëllim të blerjes së votës, kryetari në ikje i Vaut të Dejës, subvencionoi 400 mln lekë për një kompani, akt që e ka tagër vetëm Këshilli i Ministrave dhe bazuar vetëm në ligjin e ndihmës shtetërore.
Por nuk ishin vetëm këto shuma të taksapaguesve për blerjen e votës. Kodi Zgjedhor ndalon prokurimet publike dhe koncesionet në vend, por gjatë farsës elektorale 2023 u bënë qindra tendera me një vlerë 6 miliardë lekë dhe u dhanë disa investime strategjike. Përveç këtyre, mbi 4 miliardë lekë u tenderuan për ndërtimin e banesave nga tërmeti.
U konstatuan qindra raste investimi me zhavorr elektoral, duke kulmuar në Tiranë. Të gjitha këto shuma të shpërndara për të blerë haptas votën, janë vetëm maja e ajsbergut e shumës së shpërndarë nën dorë në tregun e zi të votës me destinacion direkt blerjen e të drejtës së votës. Në këtë rast kriminelët elektoralë paguajnë qytetarin që të mos ushtrojë të drejtën e votës. Në rastin tjetër ata paguajnë qytetarin për të votuar kandidatin socialist.

Në tregun e zi, shuma e blerjes së votës arriti nga 300 deri në 500 euro.
Cila është kjo shumë totale që u përdor për të blerë votën e shqiptarëve? Është shumë e vështirë të gjendet, por ndoshta kurrë nuk mësohet.
Ajo që dihet është se euro arriti nivele të ulëta këmbimi me lekun. Burimet kompetentë na thonë se një rënie e tillë e euros mund ta provokojnë vetëm hedhja e qindra milionë eurove në një kohë të shkurtër për këmbim.
Rritja e euros fill pas përfundimit të zgjedhjeve, hodhi poshtë pretendimin se rënia lidhej me sezonin turistik. Kulmin e ka arritur në Shkodër.
Shikoni fenomenin Doshi. Ky është fenomeni Dushku i vitit 2023.
Pra, këto zgjedhje ishin të blera dhe për blerjen e tyre u përdorën qindra milionë euro nga taksat e shqiptarëve.
Ndërkohë që opozita dhe jo pseudopozita nuk ka paguar një qindarkë nga xhepi.Këto zgjedhje janë të blera sepse narkoeurot u bënë diktuesit kryesorë të re.”, u shpreh Berisha.

(Kosova Sot Online)