Babë e bir për shkak të lopës përleshen me kushërinjtë në Kaçanik

  • A.P /
  • 18 May 2023 - 18:38
Babë e bir për shkak të lopës përleshen me kushërinjtë në Kaçanik

Raportohet se në fshatin Vatë të Kaçanikut, janë përfshirë dy familje në një konflikt, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pesë persona janë përfshirë në përleshje, dy prej të cilëve kanë përfunduar në ndalim policor.

Por cili  është motivi i rastit dhe cilat janë detajet e tjera?

Anëtarët e dy familjeve janë kapur për shkak të një lope. Kafsha shtëpiake e familjes së të dyshuarit M.Lamës, është futur në pronën e palës tjetër dhe aty ka plasur sherri mes tyre.

Sipas informacioneve, M.Lama bashkë me të birin po dyshohen se janë përleshur me dy viktimat, të cilët kanë pësuar lëndime trupore, si pasojë e goditjeve me dru dhe me grushte.

Si pasojë e tensionimit të situatës, dikush ka arritur ta njoftojë Policinë, me ç’rast njësitë policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku kanë arrestuar dy të dyshuarit. Te njëri prej tyre, është gjetur edhe një armë ilegale, që është konfiskuar nga zyrtarët policorë.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që dy të dyshuarit, babë e bir të dërgohen në mbajtje dhe ndaj tyre të iniciohet rast për veprat “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtje ne pronësi kontroll, posedim apo shfrytëzim i paautorizuar i armës”.

(Kosova Sot Online)