Ja sa kushtoi ceremonia mortore e mbretëreshës Elizabeth

  • A.P /
  • 18 May 2023 - 20:45
Ja sa kushtoi ceremonia mortore e mbretëreshës Elizabeth

Sipas Thesarit të MB u shpenzuan rreth 161.7 milionë paund nga publiku britanik për funeralin e Mbretëreshës Elizabeth dhe për ngjarjet anësore, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Monarkja më jetëgjatë e Britanisë vdiq më 8 shtator 2022 në moshën 96-vjeçare. Në vend u shpall zi kombëtare për 10 ditë, varrimi i saj u bë më 19 shtator. Fillimisht arkivoli me trupin e Elizabeth u ekspozua në një pelegrinazh popullor në Katedralen e Edinburgut. Më pas u dërgua në Londër, ku rreth 250,000 njerëz u vunë në radhë për orë të tëra për të bërë nderimet e tyre duke kaluar pranë arkivolit në Westminster.

Pasardhësi i saj, Mbreti Charles, gjatë kësaj kohe bëri një turne në katër vendet e Britanisë së Madhe, së bashku me kryeministren e atëhershme Liz Truss.

“Prioriteti i qeverisë ka qenë që këto ngjarje të zhvillohen pa probleme dhe me dinjitet të duhur, duke garantuar në të njëjtën kohë sigurinë e publikut”, tha John Glenn, kryesekretari i Thesarit, në një deklaratë me shkrim për parlamentin.

Pjesa më e madhe e buxhetit, gjithsej 73.7 milionë funte, u shpenzua nga Ministria e Brendshme, e cila është përgjegjëse për policinë dhe sigurinë kombëtare. Policia Metropolitane e Londrës tha në atë kohë se funerali ishte operacioni më i madh policor në historinë e saj, pasi ishin të pranishëm krerët e shteteve dhe zyrtarë të rangut të lartë nga e gjithë bota.

(Kosova Sot Online)