Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu shkarkon përmbaruesin

  • S.A /
  • 19 May 2023 - 12:30
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu shkarkon  përmbaruesin

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka marrë vendim për suspendimin e përmbaruesit Irfan Kërçagu, deri në marrjen e një vendimi të Komisionit Disiplinor. Ministrja thotë se profesionet e lira duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe institucioneve e jo të kontribuojnë në dëmtimin e tyre, transmeton "Kosova Sot Online".

“Bazuar në kompetencat ligjore, sot kam nënshkruar Vendimin për suspendim të përmbaruesit Irfan Kërçagu, deri në marrjen e një vendimi të Komisionit Disiplinor. Si Ministre e Drejtësisë jam zotuar në mbrojtjen e interesit publik dhe çdo vendim i imi do të jetë në linjë me këtë parim. Profesionet e lira duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe institucioneve e jo të kontribuojnë në dëmtimin e tyre”, ka theksuar Haxhiu.

Tutje, ajo ka kërkuar nga të gjithë përmbaruesve që të respektojnë përgjegjësitë e tyre. “Duke pasur parasysh ankesat e qytetarëve dhe institucioneve ndaj përmbaruesve, i bëj thirrje të gjithë përmbaruesve që të respektojnë përgjegjësitë e tyre sepse nuk do të tolerojmë asnjë tejkalim kompetence apo shkelje”. 

(Kosova Sot Online )