Berisha: Nuk njohim asnjë strukturë paralele

  • A.P /
  • 19 May 2023 - 14:09
Berisha: Nuk njohim asnjë strukturë paralele

Ish kryeministri Sali Berisha nuk e njeh Gazment Bardhin si kryetar të grupit parlamentar të PD, post që e mori pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt. Deklaratën ai e bëri gjatë konferencës së përjavshme për shtyp.

“Nuk kam asnjë koment për këtë, përveç komentit që unë ftoj të gjithë deputetët e PD të bashkohen dhe të vazhdojmë betejën për zgjedhjet e lira.
Ne nuk mund të njohim asnjë lloj strukture paralele të PD. Ne i ftojmë të gjithë deputetët të ulen, të diskutojnë. Ne jemi të hapur ndaj tyre, por ka rregulla, ka statute”, thuhet në reagim.

Berisha tha më herët se statuti i selisë blu do të zbatohet pikë për pikë duke theksuar se pas humbjes në zgjedhjet lokale kryetari kalon në votëbesim.

“Së fundmi, për të gjithë ata që mendojnë se denoncimi ndaj kontrollit dhe deformimit të vullnetit të qytetarëve në këto zgjedhje vjen si alibi për karrige dua t’u them të reflektojnë për një moment. Ky problem është i zgjidhur me statutin e Partisë Demokratike. Me statut, kryetari që humbet zgjedhjet lokale kalon në votëbesim dhe e njëjta gjë do ndodhë si me zgjedhjet e vjedhura ashtu dhe me zgjedhjet e lira, pa asnjë lloj dallimi. Pra unë nuk kam nevojë për asnjë lloj alibie, sepse statuti do zbatohet pikë për pikë njëlloj sikur zgjedhjet të ishin super të ndershme dhe të lira. E gjithë përpjekja ime për të sjellë para publikut kontrollin dhe deformimin e votës përmes blerjes, presionit, intimidimeve, shfrytëzimit të paligjshëm të parave publike bëhet si një detyrim ndaj demokracisë, interesit kombëtar dhe ndaj atyre qytetarëve që kanë votuar kundër sistemit, apo kanë pasur frikë të votojnë kundër tij. Ky denoncim duhet të jetë sot kryefjala e të gjithë shoqërisë, sepse një shoqëri që nuk zhvillon zgjedhje të lira, të ardhme nuk ka”, u shpreh Berisha.

(Kosova Sot Online)