Mehaj: FSK bleu pajisje ushtarake për t’i dalë zot vendit

  • A.P /
  • 21 May 2023 - 12:51
Mehaj: FSK bleu pajisje ushtarake për t’i dalë zot vendit

Rrugëtimi dhe qëllimi i FSK-së është vetëm anëtarësimi në NATO, ka theksuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Mehaj tha se do të përmbushet çdo detyrë që të arrihet kjo, ndërsa konfirmoi se janë blerë pajisje të reja ushtarake.

“Ngritjen e kapaciteteve tona do t’i bëjmë gjithmonë sipas standardeve të NATO-s. Sepse rruga dhe rrugëtimi ynë është iqartë. Destinacioni ynë është një dhe i vetmi: anëtarësimi në NATO. Prandaj, ne do të jemi përmbushës të çdo detyre, çdo obligimi që kërkohet që ne të bëhemi pjesë e familjes euro-atlantike”, tha Mehaj.

Ai tha se ngritja e kapaciteteve ushtarake është bërë “për t’i dalë zot vendit”, të cilin tha se “do ta mbrojmë kurdo që do të jetë e nevojshme”.

“Gjatë këtyre dy viteve, fokusi ynë kryesor ka qqenë në rritjen e numrit të ushtarakëve, trajnime, stërvitje e shkollime, pastaj në ngritjen e kapaciteteve luftarake përmes blerjes së pajisjeve ushtarake dhe sistemeve të reja. E gjithë kjo është bërë për t’i dalë zot vendit tonë. Atdheun e çliruar dhe lirinë e fituar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ne do ta mbrojmë kurdo që do të jetë e nevojshme”, tha Mehaj.

“E kaluara na ka mësuar që për ta fituar lirinë duhet të derdhësh gjak, ndërsa për ta ruajtur paqen duhet të derdhësh mund dhe djersë”, tha ndër tjerash ministri i Mbrojtjes.

Në stërvitjen e sivjetme do të marrin pjesë pesë ushtri të ndryshme të NATO-s që do të stërviten në pjesë të Kosovës deri më 2 qershor dhe do të shoqërohen nga pesë oficerë të lartë të ushtrisë amerikane.

Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit Kosova do ta ketë trefishin e numrit të ushtarëve që do të marrin pjesë në stërvitjet e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pjesë e kësaj ngjarjeje do të jetë edhe ekspozimi i pajisjeve të FSK-së, që do të bëhet në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.

(Kosova Sot Online)