Escobar: Është obligim që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe

  • A.P /
  • 21 May 2023 - 15:40
Escobar: Është obligim që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një “arritje e madhe” dhe se ajo paraqet një “hap historik përpara” në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, vlerësoi i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në një intervistë për agjencinë malazeze të lajmeve, Mina, Escobar tha se “nuk sheh arsye” pse marrëveshja për çështjet e mbetura të mos mund të zbatohen deri në fund të verës.

Siç tha ai, në Serbi ka disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, letërnjoftimeve dhe disa gjërave të tjera.

“Edhe nga Kosova pritet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Më falni, kjo nuk është pritje. Është obligim”, tha Escobar.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan që këto procese të zhvillohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Nuk shoh asnjë arsye pse të mos mund të përfundojë deri në fund të verës”, tha Escobar.

Ai kujtoi se marrëveshja mes dy palëve është ligjërisht e detyrueshme dhe se tani shtrohet pyetja se si të zbatohet plotësisht.

Escobar tha se është optimist se qëllimi do të arrihet dhe beson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq “mund të tregojnë guximin e nevojshëm politik për të ndërmarrë hapat e duhur”.

Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, ndërsa më 18 mars, në Ohër, u pajtuan për aneksin për zbatimin e saj.

(Kosova Sot Online)