Mitsotakis i pakënaqur edhe pse i fitoj zgjedhjet

  • A.P /
  • 22 May 2023 - 18:54
Mitsotakis i pakënaqur edhe pse i fitoj zgjedhjet

Kryeministri grek në largim, Kyriakos Mitsotakis, i cili fitoi zgjedhjet parlamentare me një diferencë të madhe të dielën, bëri thirrje për zgjedhje të reja, ndoshta më 25 qershor, në një përpjekje për të siguruar një shumicë absolute.

”Po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja (…) sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha  Mitsotakis gjatë një takimi me presidenten e Republikës, Katerina Sakellaropoulou.

“Besoj se mesazhi i kutisë së votimit ishte shumë i qartë. Nuk besoj se ka terren për të formuar qeveri nga ky parlament dhe dua të theksoj se nëse sistemi zgjedhor që do të përdorim herën tjetër do të përdorej dje, Demokracia e Re do të kishte tashmë një shumicë të fortë parlamentare prej mbi 170 vendesh. Prandaj do ta kthej këtë mandat eksplorues këtë mbrëmje, që të mund të shkojmë në zgjedhje të reja”, tha kryeministri grek.

Partia konservatore në pushtet, “Demokracia e Re” e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis siguroi një fitore të madhe në zgjedhjet e përgjithshme greke të dielën, duke përmirësuar rezultatin e saj në 2019, pasi u numëruan pothuajse të gjitha votat.

“Demokracia e Re” ishte me rreth 40,8%, nga 39,9% në zgjedhjet e fundit, me mbi 97% të votave të numëruara që nga fillimi i së hënës.

“Demokracia e Re” mund të kërkojë një partner koalicioni, por Mitsotakis gjithashtu mund të kërkojë zgjedhje të reja në qershor nën një sistem tjetër që do të lejonte partinë e tij të qeveriste e vetme.

Mitsotakis ka përjashtuar një aleancë me parti të tjera dhe ka lënë të kuptohet se zgjedhjet e reja mund të zhvillohen që në fillim të muajit të ardhshëm.

Mandati presidencial do ti shkojë me radhë partisë së dytë dhe të tretë deri në fundjavë dhe meqenëse asnjë nga forcat politike që u futën në parlament nuk duan koalicion me partitë e tjera, atëherë kthehet tek presidentja, e cila sipas kushtetutës beton parlamentin e ri, të cilin e shpërndan një ditë më vonë pasi nuk mund të krijohet qeveria.

Më pas krijohet një qeveri teknike me kryeministër një gjykatës të lartë, i cili shpall zgjedhjet brenda 20 ditëve rreth fundit të qershorit, zgjedhje që zhvillohen me sistem proporcional të përforcuar ku partia e parë në bazë të përqindjes do të marrë nga 20 deri në 50 vende shtesë në parlament.

Vlerësohet se konservatorët nuk do ta kenë të vështirë të sigurojnë këtë shumicë parlamentare, ndërsa me interes të madh priten zhvillimet në partinë Syriza, por edhe tek socialistët e PASOK-ut, të cilët pretendojnë të bëhen forca e dytë politike në vend.


(Kosova Sot Online)