Borrell: Rruga e vetme drejt normalizimit Kosovë - Serbi zbatimi i plotë i marrëveshjes

  • A.P /
  • 22 May 2023 - 20:36
Borrell: Rruga e vetme drejt normalizimit Kosovë - Serbi zbatimi i plotë i marrëveshjes

Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha sot se rruga e vetme e Kosovës dhe Serbisë në BE është përmes zbatimit të marrëveshjes për normalizim, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Këto komente, Borrell i dha gjatë deklarimit të tij për media pas takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit ishte edhe kryediplomatja Donika Gërvalla.

Ai bëri thirrje që atmosfera negative, provokimet dhe tensionet e ndërsjella mes Prishtinës dhe Beogradit të marrin fund.

“Bashkimi Evropian është për bashkëpunim, është për fqinjësi dhe për të jetuar së bashku. Për këtë zbatimi i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës është rruga e vetme drejt normalizimit”, tha Borrell.

“Tensionet dhe provokimet e ndërsjella duhet të mbarojnë. Atmosfera negative e mungesa e konstruktivitetit duhet të përmbyset. Të jesh anëtar i BE-së nënkupton të jesh në gjendje të bashkëpunosh, të veprosh si fqinj i mirë dhe të tejkalosh gjitha vështirësitë e kaluara”, shtoi ai.

Ndër të tjera, Borrell bëri të ditur që në takimin e sotëm u fol për shtetet që kanë refuzuar t’i vënë sanksione Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Në këtë mes, ai ka përmendur Serbinë si një prej këtyre shteteve, ku tha se lidhja e tyre me Rusinë nuk është në përputhje me aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

(Kosova Sot Online)