Lexoni edhe:
“S’duam konflikte”, Orban: Marrëdhëniet mes Hungarisë e Suedisë të përmirësohen para ratifikimit të marrëveshjes me NATO-n
Kandidati që doli i treti në zgjedhjet presidenciale në Turqi, Sinan Ogan, të hënën ka thënë se do të ofrojë mbështetje për kandidatin kryesor Rexhep Tajip Erdogan, përpara votimit të planifikuar të balotazhit, transmeton "Kosova Sot Online".
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Ogan, i cili mori 5.17% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan më 14 maj, tha në një konferencë shtypi në Ankara se ai do të mbështesë Erdoganin dhe jo kundërshtarin e tij Kemal Kilicdaroglu, në balotazhin presidencial të planifikuar për 28 maj.
Erdogan mori 49.52% të votave në raundin e parë, duke i dhënë atij një avantazh prej pesë pikësh ndaj Kilicdaroglu.
“Njoftoj se do të mbështesim kandidatin e AKP dhe do të ftojmë votuesit që votuan për ne në raundin e parë të votojnë për zotin Erdogan”, ka thënë Ogan. Vendimi u mor “pas diskutimeve dhe sepse ne besojmë se është gjëja e duhur për vendin tonë dhe popullin tonë”, shtoi ai. Ogan e kishte kushtëzuar mbështetjen e secilit nga kandidatët me politikat e ngurtësuara ndaj refugjatëve dhe disa grupeve kurde që ai i percepton si terroristë.
“Aleanca Kombëtare nuk ka arritur të na bindë”, ka thënë më tej ai, duke folur për grupin kryesor të opozitës në Turqi, të udhëhequr nga Kilicdaroglu. Ogan pohoi se Turqia ishte në një “situatë kritike” dhe përcaktoi katër prioritete që ai tha se duheshin adresuar urgjentisht.
E para është çështja e refugjatëve dhe emigrantëve në Turqi, tha ai.
Së dyti, “kërcënimi urgjent i sigurisë kombëtare” pas tërmeteve të fundit.
Së treti, problemet ekonomike “të shkaktuara nga dinamika e brendshme dhe e jashtme që kanë shkaktuar probleme të thella në publik”.
Dhe së katërti, lufta kundër terrorizmit në Turqi, për të cilën ai tha se duhet “të adresohet në të gjitha frontet, përfshirë edhe atë financiar”.
Duke iu përgjigjur raporteve se Ogan kishte mbështetur Erdoganin, Kilicdaroglu tha në një postim në Twitter të hënën se “është e qartë se kush mban anën e atyre që e shesin këtë vend të bukur”.
(Kosova Sot Online )