Avokati që paditi kompaninë 'Visametric' shpalos detaje të reja

  • A.P /
  • 23 May 2023 - 20:00
Avokati që paditi kompaninë 'Visametric' shpalos detaje të reja

Për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi se në kuadër të ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me rastin “VisaMetric”, i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i këtij subjekti, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Avokati Flamur Abdullahu, muaj më parë, kishte bërë ankesë në departamentin për mbrojtjen e konsumatorit dhe me pas edhe padi kolektive ndaj “VisaMetric”, pasi kjo e fundit kishte detyruar aplikuesit për viza që të paguajnë tarifën prej 30 eurosh.

Ai në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin DIREKT në ATV, tha se detyrimi “VisaMetric” që aplikantët e vizave të paguajnë tarifën e caktuar nga kjo kompani, përbënte shkelje të të drejtave të konsumatorit.

“Unë isha një prej personave që kur aplikova për vizë, u detyrova të paguaj tarifën e postës e cila në parim do të mund të ishte një shërbim që unë mund ta zgjidhja, nëse e dua atë shërbim apo nuk e dua. Në rastin e “VisaMetric”, ata na detyronin që të paguanim këtë tarifë dhe nuk ishte e mundur zgjedhja. Kjo përbënte shkelje të të drejtave të konsumatorit për arsye se ne uebfaqen e “VisaMetric’, ky shërbim reklamohej si i zgjedhshëm. Pastaj unë fillova ankesën në departamentin për mbrojtjen e konsumatorit, propozimin për masë sigurimi dhe padinë kolektive. Pas propozimit për masë sigurimi, Gjykata vendosi që kjo pagesë të mos i merret konsumatorëve dhe ne jemi në pritje të seancave për çështjen e padisë kolektive, me të cilën kemi kërkuar që të kthehen këto mjete të gjithë konsumatorëve që kanë paguar sikur unë”, tregoi Abdullahu.

(Kosova Sot Online)