Krasniqi: Qeveria Kurti po dëshmon se e ka mision ta pengojë fjalën e lirë

  • A.P /
  • 24 May 2023 - 18:54
Krasniqi: Qeveria Kurti po dëshmon se e ka mision ta pengojë fjalën e lirë

Për emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Krasniqi tha se emërimi i Aliut dëshmon se qeveria e tanishme e ka mision të pengojë fjalën e lirë, duke synuar kapjen e mediave.

Sipas tij, mediat deri sot u kanë penguar vetëm qeverive autokratike dhe, natyrisht, qeverive të dështuara, të cilat, përveç aferave dhe degradimit nuk prodhojnë asgjë tjetër.

“Me emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, kjo Qeveri dëshmoi edhe një herë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave. Media e lirë dhe e pavarur është një nga platformat e rëndësishme jopolitike, e cila, përveç që informon qytetarët, monitoron dhe mban përgjegjës pushtetin në raport me politikat dhe veprimet që bien ndesh me ligjin dhe qeverisjen e mirë”, ka shkruar Krasniqi

Krasniqi tha se vetëm një pushtet i korruptuar dhe autokrat synon kontrollin politik të mediave dhe të institucioneve të pavarura e fatkeqësisht, kjo, sipas tij,  po ndodh tash e dy vjet në vendin tonë.

“Larg duart nga mediat”, përfundoi ai.

(Kosova Sot Online)