Ja në krah të kujt rreshtohet Edi Rama për ngjarjet në Veri

  • A.P /
  • 26 May 2023 - 19:10
Ja në krah të kujt rreshtohet Edi Rama për ngjarjet në Veri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas ngjarjeve të sotme në veri, ku ka pasur tensione si rezultat i vendimit të institucioneve të Kosovës për të vendosur kryetarët e zgjedhur në zyrat e Komunave përkatëse, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Rama ka thënë se një ngjarje e tillë nuk ndihmon procesin për normalizim dhe njohje të ndërsjellë, proces në të cilin janë të përfshirë edhe miqtë më të mëdhenj të Kosovës dhe të shqiptarëve.

Ai thotë se një gjë të tillë e konfirmon edhe reagimi me shqetësim i ndërkombëtarëve.

 “A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar!”, ka shkruar Edi Rama në twitter.

Ai tutje ka shkruar se bashkohet me apelin e SHBA-së për të mos ecur në një shteg të tillë, i cili sipas tij, është jo vetëm i rrezikshëm por edhe i panevojshëm, kur bota demokratike ka vendosur në qendër të dialogut njohjen reciproke Kosovë-Serbi.

“Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Edi Rama.

(Kosova Sot Online)