Less: Kombinimi i qëndrimeve të Kosovës dhe Serbisë e solli këtë situatë në Veri

  • A.P /
  • 31 May 2023 - 16:47
Less: Kombinimi i qëndrimeve të Kosovës dhe Serbisë e solli këtë situatë në Veri

Nëse Kosova vazhdon ta sfidojë SHBA-në për çështjen e veriut, sipas Less “rrezikon izolimin diplomatik”, ka deklaruar ish-diplomati britanik, Timothy Less, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Studiuesi në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge-it thotë se kombinimi i qëndrimeve të Kosovës dhe Serbisë e solli këtë situatë në veri, por thekson se shpërthimi i dhunës pason një vit me tensione në rritje. “Perëndimi më pas i nervozoi të dyja palët – dhe veçanërisht Kosovën – duke propozuar një plan që i kalon vijat e kuqe përkatëse”, thotë Less. Rrjedhimisht, ai thotë se të dyja palët reaguan duke u përpjekur “të krijojnë fakte të reja në terren në veri”.

Qëndrimi i fundit i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe fakti që dy kryetarët e rinj të veriut nga Lëvizja Vetëvendosje nuk i shkuan në takim ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, sipas ish-diplomatit tregon se “marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit dhe Prishtinës kanë rënë në nivelin më të ulët historik”, gjë që ai e përshkruan si një “fatkeqësi strategjike për Kosovën”.

Less thotë se për Qeverinë e Kurtit tani është në pyetje nëse përfundimisht do të ketë sukses në përpjekjet për ta integruar veriun në pjesën tjetër të Kosovës apo nëse do të tërhiqet për çështjen e kryetarëve të komunave, që ai thotë se do të ishte një pranim se nuk mund ta arrijë këtë qëllim.

(Kosova Sot Online)