Për dy serbët e arrestuar në protestën e Zveçan, Gjykata cakton paraburgim

  • A.P /
  • 31 May 2023 - 17:19
Për dy serbët e arrestuar në protestën e Zveçan, Gjykata cakton paraburgim

Lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës  për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve R.P dhe D.O, Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti Special  ka njoftuar sot se vendosur, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ky vendim është marrë për shkak të dyshimit të bazuar se kanë bashkëkryer veprën penale Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, nga neni 127 paragrafi 2 lidhur me nenin 114 paragrafi 2 dhe nenin 31 të KPRK–së, Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, nga neni 167 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK –së, Sulmi ndaj personit zyrtar nga neni 402 paragrafi 5 lidhur me pagagrafin 1 lidhur me nenin 31 të KPRK –së  dhe veprën penale Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi nga neni 404 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve  R.P dhe D.O  dhe të njëjtëve  ju ka caktuar masën e paraburgimit  në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të  paraburgimit dhe ka gjetur se kërkesa e prokurorit të shtetit pẽr caktimin e paraburgimit është e bazuar, ngase ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit R.P dhe D.O kanë kryer veprat  penale për të cilat dyshohen dhe se janë plotësuar edhe kushtet e kërkuara me ligj për caktimin e paraburgimit”, thekson komunikata.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.

(Kosova Sot Online)