The Guardian: Albin Kurti i gatshëm për zgjedhje të reja në Veri

  • A.P /
  • 31 May 2023 - 18:29
The Guardian: Albin Kurti i gatshëm për zgjedhje të reja në Veri

Për konferencën që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur sot në Bratisllavë në kuadër të “Globsec”,  ka raportuar gazeta britanike “The Guardian”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Siç shkruan mediumi britanik, Kurti ka thënë se është i hapur dhe i përgatitur për të konsideruar zgjedhjet e reja në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Këtë interpretim i “The Guardian” e ka nxjerrë nga deklarata e Kurtit gjatë konferencës ku ka thënë se nëse do të organizohen protesta paqësore në kërkim të zgjedhjeve të reja, atëherë serbët e kanë një kryeministër i cili do t’i dëgjojë e mbase edhe të pranojë kërkesën e tyre.

 “Nëse do të kishte protesta paqësore për zgjedhje të reja, do ta kishin mirëkuptimin tim, por banda me shkronja Z që qëllojnë ushtarët e policë, që hedhin granata dhe që bëjnë thirrje për “vrasje”. Për bandat fashiste ne nuk e dorëzojmë republikën. Nëse ata dëshirojnë protesta paqësore për të kërkuar zgjedhje të reja, ata e kanë një kryeministër që ka më shumë se dëshirë për t’i dëgjuar dhe mbase për t’u pajtuar me ta”, ka thënë Kurti në këtë konferencë.


(Kosova Sot Online)