Detaje të reja: Serbi i arrestuar në veri kishte qenë ushtar i Millosheviqit

  • A.P /
  • 31 May 2023 - 20:14
Detaje të reja: Serbi i arrestuar në veri kishte qenë ushtar i Millosheviqit

Vetëm pak orë pasi nga Serbia hyri në territorin e Kosovës për t’iu bashkuar protestave të dhunshme në veri, veterani i ushtrisë serbe, Sinisa Jevtic, u arrestua, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Media merr vesh se ai u arrestua në mbrëmjen ndërmjet të martës dhe të mërkurës në veri të vendit.

Deri në kufi atë e përcolli deputeti ultra-nacionalist në parlamentin e Serbisë, Erac Strahinja, nga partia rusofile e ekstremit të djathtë.

Jevtic ka shërbyer në ushtrinë serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe mes tjerash ka luftuar në Koshare kundër UÇK-së.

Ai mban me krenari në profilin e tij në Facebook dekoratën hero dhe medaljen e ndarë nga kasapi i Ballkanit, Slobodan Milosevic.

Para se të nisej për në Kosovë, Jevtic kishte shpërndarë njoftime që bëjnë thirrje për mobilizim të veteranëve të ushtrisë serbe, për, siç thuhet, “çlirimin përfundimtar të tokës së shenjtë” – referuar Kosovës.

Në postimet ndër vite Jevtic e konsideron veten serb dhe rus, teksa shpreh haptas përkrahjen për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, përmes simbolit Z.

Ky simbol u vizatua në mjetet e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe mediave që përcollën ngjarjet e dhunshme në veri.

Para nisjes për Kosovë, Jevtic kishte shpërndarë mesazhe përkrahëse të sulmeve ndaj KFOR-it dhe Policisë.

Sot, Policia e Kosovës ka njoftuar se në vazhdën e angazhimeve për ofrim të sigurisë dhe parandalim të veprimtarive kriminale, mbrëmë, gjatë natës, në veri të vendit, ka ndaluar një automjet (me targa të Sllovenisë), me të cilin ishin duke qarkulluar dy persona meshkuj serbë, shtetas të Serbisë.

Dy serbët janë arrestuar nga policia, ndërsa të dhënat nga hetimet tregojnë se këta personat po hetohen për lidhjet e tyre me “Brigadën 72” e cila është brigade ushtarake, e destinuar për operacione të veçanta, sabotim dhe kundërsabotim, kryengritje dhe zbulim si dhe kundërterrorizëm në ushtrinë e Serbisë.

Dy personat e arrestuar janë Ivan Sekuliq nga Beogradi dhe pasagjeri Sinisa Jevtiq nga Bogradi, Krushevac-Serbi.

*Kosova Sot Online)