Elvis Hoxha zbulon ‘strategjinë’ Albin Kurtit: E ka ndërtuar dhe proklamuar para 11 vitesh në Tiranë

  • S.A /
  • 01 June 2023 - 12:41
Elvis Hoxha zbulon  ‘strategjinë’ Albin Kurtit: E ka ndërtuar dhe  proklamuar para 11 vitesh në Tiranë

Anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha thotë se kryeministri Albin Kurti po vazhdon të mos tërhiqet për çështjen e fundit në veri të vendit, pasi beson se ndërkombëtarët do ta ndjekin atë, transmeton "Kosova Sot Online".

Hoxha e ka kujtuar një shprehje të Kurtit para një dekade, ku ai e përshkruante se si funksionon sipas tij raporti mes institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. “T’i referohem pak një fraze të Albin Kurtit në 2012 në një emision këtu në Tiranë, që thotë: ne jemi ata që vendosim dhe që shkojmë përpara; ndërkombëtarët – thotë – janë sipër nesh, por jo para nesh; nëse ecim, na ndjekin, nëse ngecim, na shtypin. Është shumë e rëndësishme kjo frazë”, tha Hoxha në Euronews Albania.

“Dhe ai po bën pikërisht këtë?”, pasoi pyetja.

“Absolutisht. Sepse ka mbështetjen e Kosovës”, tha Hoxha. “Kam marrë votat, po ndërtoj institucione, po respektoj demokracinë, po më nxjerr me rritje ekonomike, luftë kundër korrupsionit, me lirinë e mediave, po m’i nxjerr të gjitha të dhënat që jam shoqëria më e avancuar aktualisht në Ballkan, dhe ti në moment më kërkon mua të bëj kompromis me demokracinë? Unë që po them po e respektoj edhe demokracinë tënde më mirë se kushdo tjetër, atëherë më falni”, shtoi ish-këshilltari i Kurtit.

Dëgjimin e këshillave të ndërkombëtarëve për çështjen e fundit në veri, Hoxha e përshkruan si kërkesë për njëfarë vetëvrasjeje. “Do me thënë ju po thoni të vetëvriteni ju, jo vetëm unë. Ky është problemi”, theksoi Hoxha. Këmbëngulja e shefit të Qeverisë së Kosovës se kryetarët duhet të shkojnë në komuna rezultoi me përjashtimin e FSK-së nga ushtrimi i madh ndërkombëtar ushtarak, i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”. Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier tha të martën se kjo është “pasoja e parë” për Qeverinë e Kosovës, që, siç tha ai, nuk i dëgjoi kërkesat e Washingtonit për shtensionimin e situatës. Paraprakisht, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken paralajmëro se veprimet e Qeverisë në veri “do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën”. Kurti e quajti naive këtë deklaratë. Hoxha e quan “krejt të padrejtë”. “Deklarata për mua është krejt e padrejtë. Krejt e padrejtë. Ta themi kështu, thjesht. Deklarata është krejt e padrejtë. Nuk mund të thuash i bëjmë zgjedhjet dhe t’i anulosh zgjedhjet, sepse pastaj ne gradualisht po e quajmë të drejtë gjendjen anormale të drejtimit të të gjitha atyre komunave nga strukturat paralele serbe”, tha Elvis Hoxha. Ai u ankua se emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak “po ia bën të thjeshtë Serbisë” punën në këtë situatë dhe se Perëndimi po bën sikur nuk po i sheh bandat në veri të vendit.

“Ke kujdes, se krimineli s’paguan kurrë çmim. Krimineli çmim moral nuk paguan. Pra, mos më thuaj dobësoje demokracinë, fillesën e demokracisë tënde, që ta kemi mirë me një kriminel… Po e ledhatove krimin, krimineli merr fuqi më shumë”, tha Hoxh, duke përmendur gjithashtu se në Serbi më “nuk ka presion” për njohje të ndërsjellë.

(Kosova Sot Online )