Ndodh edhe kjo: Një burrë lakuriq shfaqet midis Vatikani

  • a.p /
  • 02 June 2023 - 22:30
Ndodh edhe kjo: Një burrë lakuriq shfaqet midis Vatikani

Pak para mbylljes për turistët një incident është shënuar në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, teksa një burrë u ngjit në altarin e lartë duke u zhveshur lakuriq, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Skena është filmuar nga një grup i habitur besimtarësh dhe është transmetuar në kanalin e telegram ‘Welcome to favelas’.

Sipas Corriere della Sera, ai është një shtetas rus 34-vjeçar me pasaportë polake. Në shpinën e tij shkruhej me stilolaps parulla: “Shpëtoni fëmijët e Ukrainës“.

Ndërkohë, rojet e Bazilikës së bashku me disa xhandarë kanë ndërhyrë menjëherë dhe e kanë detyruar burrin të veshë sërish rrobat, duke e çuar në xhandarmëri për ta marrë në pyetje dhe për ta identifikuar.

Arsyet për gjestin përdhosës duket se janë të lidhura me luftën në Ukrainë, me 34-vjeçarin që ka thënë për policinë se zhveshja ishte shenjë proteste për vuajtjet e fëmijëve që vdesin nën ‘rrebeshin’ e bombave ruse.

Mediat italiane sakaq raportojnë se një urdhër dëbimi nga Italia është firmosur për të.

Por, incidenti në fjalë ka rindezur edhe njëherë çështjen e sigurisë në Vatikan. Episodi i djeshëm është në fakt episodi i dytë pas atij që ndodhi dy javë më parë, kur një 40-vjeçar duke drejtuar një makinë hyri me shpejtësi në shtetin e Vatikanit përmes Porta Sant’Anna dhe u ndalua pasi kaloi dy postblloqe, pasi xhandarmëria qëlloi mbi gomat e makinës.

(Kosova Sot Online)