Stoltenberg: Ja kush po e kthen prapa Kosovën

  • A.P /
  • 07 June 2023 - 14:04
Stoltenberg: Ja kush po e kthen prapa Kosovën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dhuna po e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin, derisa ka kërkuar edhe deeskalim të situatës në veri të vendit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Dhuna po e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin, duke vënë në pikëpyetje aspiratat euroatlantike. Si Prishtina ashtu edhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën, të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialog me mbështetjen e BE-së, e cila është e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme”, tha ai për gazetën malazeze “Pobjeda”.

Ai tha se NATO dënon fuqishëm sulmet e fundit të paprovokuara ndaj trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, në të cilat u plagosën pothuajse 40 paqeruajtës.

“Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen”, tha ai.

Stoltenberg ka përmendur edhe “aktorë të huaj” në rajon që punojnë për minim të paqes.

“Rajoni ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve 1990, por ne kemi parë tensione të përsëritura, duke përfshirë ato në Kosovë si dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, me retorikë më agresive, reforma të ngecura dhe aktorë të huaj që punojnë për të minuar progresin. NATO ka një histori të gjatë në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Koncepti ynë i ri strategjik, i miratuar në Samitin e Madridit vitin e kaluar, ripohon rëndësinë strategjike të rajonit për Aleancën. Ne pajtohemi për rëndësinë e pranisë sonë në rajon, duke përfshirë misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë dhe zyrat tona në Sarajevë dhe Beograd”.

Sekretari i NATO-s foli edhe për rritjen e prezencës në Kosovë pas shpërthimit të tensioneve në veri.

“Po dërgojmë në Kosovë edhe rreth 500 ushtarë të tjerë nga rezerva operative për Ballkanin Perëndimor dhe kemi vënë në gatishmëri një batalion shtesë rezervë, që edhe ata të dislokohen sipas nevojës. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij”.

Ai tha se misioni i KFOR-it do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

“NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

(Kosova Sot Online)