Qytetari vendos foton e Kurtit në veturë: 'Baba ktu'

  • A.P /
  • 07 June 2023 - 17:43
Qytetari vendos foton e Kurtit në veturë: 'Baba ktu'

Në pjesën e prapme të veturës së tij, një qytetar ka vendosur fotografinë e kryeministrit Albin Kurti, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Vetura ku është vendosur fotografia e Kurtit krahas hartës së Mitrovicës dhe ku shkruhet “baba ktu”, është parë duke qarkulluar sot në Prishtinë.

Ndryshe, situata në veri të vendit është tensionuar nga 26 maji, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e tri komunave veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, që të futen në zyret e tyre, përkundër rezistencës së serbëve lokalë.

Situata eskaloi më 29 maj, kur serbët lokalë u përplasën me ushtarët e KFOR’it të cilët ruanin objektet komunale. Atë ditë mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR’it, njëmbëdhjetë të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë të kontingjentit hungarez.

Lëndimet e tyre përfshijnë fraktura të gjymtyrëve, djegie, ndërkohë që 3 ushtarë hungarez janë të plagosur me armë zjarri.

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka deklaruar se po të mos ndërhynte KFOR’i në veri, “tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”.

“Nëse nuk do të kishim ndërhyrë, tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”, ka deklaruar Ristuccia.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për uljen e tensioneve tensioneve dhe, së fundi, disa kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

(Kosova Sot Online)